Transmetuar më 19-01-2022, 23:59

Ambasadorja aktuale e SHBA-ve në Tiranë, Juri Kim, foli sonte për prova dhe fakte që sipas saj janë mbledhur prej kohësh për Berishën.

Kim tha në Euronews edicioni shqiptar se shpallja non grata e Sali Berishës erdhi pasi u mblodhën prova nga shumë institucione. Ambasadorja theksoi se shpallja non grata përfshiu shumë agjenci të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Ajo tha se procesi për shpalljen non grata të dikujt merr vite dhe nuk bëhet brenda ditës e as nga një individ i vetëm.

“Nuk është vetëm DASH. Përfshihen agjenci si Departamenti i Thesarit, FBI, CIA. Përfshihen një gamë ekspertësh për të parë faktet. Së pari, për të mbledhur faktet dhe pastaj për të shqyrtuar faktet, dhe pastaj ndërtimi i një dosjeje që Sekretari i Shtetit të ketë besim ta nënshkruajë,” – u shpreh ambasadorja.

Megjithatë ajo nuk përmendi asnjë fakt apo provë që më herët tha se kishin prej vitesh amerikanët në zyrat e tyre, për Sali Berishën.

Ajo tha se nuk ka asnjë provë që mund të bëhet publike në asnjë proces gjyqësor.

“Në asnjë rast nuk paraqesim një dosje provash. Nuk është ky procesi,” – tha Kim e cila insistoi disa herë se pavarësisht se Berisha ka hapur një proces gjyqësor në Paris për këtë çështje, atje nuk do të ketë asnjë deklarim nga SHBA.

Në maj të vitit të kaluar sekretari i DASH, Antony Blinken, bëri me dije se Berishës dhe familjarëve të tij nuk do t’u lejohet pajisja me vizë për në Shtetet e Bashkuara. Ky vendim sipas Blinken u mor nga Uashingtoni zyrtar “për akte korruptive që cenojnë demokracinë në Shqipëri”.