Transmetuar më 20-01-2022, 08:36

Interi është në çerekfinale të Kupës së Italisë. Ndeshja në “San Siro” nuk shkoi siç pritej, duke pasur parasysh se si kalimi i turit nga zikaltrit erdhi me përmbysje. Avantazhi erdhi përmes barazimit të Ranocchia në minutën e 91-të dhe golit vendimtar të Sensit në kohën shtesë.

Megjithatë, ajo që ka rëndësi për Interin është kalimi në turin tjetër të Kupës së Italisë, ku do të përballet me fituesin mes Romës dhe Leçes, ndeshje që mbyll çerekfinalet. Skuadra e Inzaghit dëshmon se di të vuajë dhe të jetë sërish fituese, sërish vendimtare.

Ish-trajneri i Lazios bëri zëvendësimin e gjashtë në fillimin e kohës shtesë, duke futur Sensin për Lautaro Martinez. Vetë mesfushori shënoi për 3-2 dhe e shtyu Interin përpara në Kupën e Italisë. Në fund të Inter-Empoli, Inzaghi ishte dukshëm i kënaqur:

"Të gjitha ndeshjet e kësaj faze ishin me rezultate të ngushta, u përballëm me një ekip që e dinim se do të na vinte në vështirësi. Portieri i tyre bëri pritje të jashtëzakonshme, më pas humbëm distancën. Djemtë ishin shumë të mirë për të mos u dorëzuar, donim çerekfinalet me të gjitha forcat tona”.

Sensi është një hap larg Sampdorias, por Inzaghi nuk dorëzohet për momentin: "Stefano e meritoi këtë mbrëmje, pas vështirësive që kishte pasur. Ka zëra për tregun e transferimeve, është normale që ai ka kërkesa.

Nëse dëshira e tij është të qëndrojë këtu, do ta mbajmë me kënaqësi. Pastaj i takon atij të bëjë disa vlerësime. Përderisa ka fanellën e Interit, do ta mbaj të karikuar. Jam i lumtur që 3-2 erdhi falë tij".

Ndërkohë, në pritje për të kuptuar se cila do të jetë e ardhmja, në orët e ardhshme ish-mesfushori i Sassuolo dhe Cesena sigurisht që do të qëndrojë në Milano të paktën deri të shtunën për ndeshjen ndaj Venezia.

Më pas, në rast lamtumire, kjo do të vijë vetëm pas testeve mjekësore që do t’iu nënshtrohet Correa, i cili doli nga fusha i përlotur. Ndjesitë nuk janë pozitive: "Ne duhet të vlerësojmë dëmtimin. Ai ishte mirë dhe do të na kishte dhënë një dorë të mirë. Shpresojmë ta rikuperojmë shpejt, por kishte një problem të madh”.

Një dëmtim që mund të lidhet me terrenin e “San Siro”, i përdorur çdo tri ditë: “E kemi këtë problem me fushën, si ne ashtu edhe Milani. Duhet të marrim disa masa, por mendoj se edhe Empoli është penalizuar. Në dy muajt e fundit në ‘San Siro’ ka pasur probleme me fushën”.