Transmetuar më 20-01-2022, 09:20

Policia ka arrestuar Markelian Beqiri, 26 vjeç,banues lagjen nr.17/1, Durrës i cili dyshohet se ka tentuar të vrasë në muajin dhjetor të vitit të kaluar me armë zjarri Arni Sulejmanin. Arni Sulejmani mbeti i plagosur nga të shtënat me armë, ndërsa autori u largua nga vendi i ngjarjes.

Ngjarja ndodhi në ambientet e një hoteli në autostradën Tiranë – Durrës, në datën 9 dhjetor.

26-vjeçari nga Durrësit, Markelian Beqiri u arrestua sot pas operacionit të Policisë të koduar ‘Linza’.

Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Në lidhje me ngjarjen është pyetur edhe Anxhela Brisku, transgjinorja e cila u gjet brenda hotelit në Durrës, aty ku ndodhi plagosja me armë zjarri. 22-vjeçarja ka rrëfyer se ishte e dehur dhe nuk mban mend se për çfarë arsye u plagos Sulejmani. Më tej, Brisku ka pohuar se të gjithë do të konsumonin kokainë mirëpo ende nuk e kuptoi se përse e gjithë situata devijoi deri në plagosje.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.