Transmetuar më 20-01-2022, 14:41

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, ka kërkuar shkarkimin  e prokurores së Dibrës, Belina Zeneli.

Në njoftimin e shpërndarë për mediat, nga hetimet e kryera, rezulton se Zeneli nuk i ka dhënë zgjidhje ligjore 33 procedimeve penale dhe nuk ka kryer asnjë verifikim lidhur me 300 kallëzime.

Ajo ka zvarritur hetimet paraprake dhe nuk ka kryer veprime hetimore në kohë duke zgjatur afatet procedurale pa pasur arsye.

Hetimi ka nisur edhe për dy prokurorë të tjerë, Xhoana Mehmetaj dhe Rifat Kojkun, por sipas ILD-së nuk kishte prova të mjaftueshme për ta.

Njoftimi i ILD-së:

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar hetimin disiplinor, të nisur bazuar në ankesën e depozituar nga Prokurori i Përgjithshëm, duke ngritur pretendime për zvarritje të pajustifikuara të veprimeve procedurale për tre magjistratë, XH.M., B.Z. dhe R.K. me detyrë prokurorë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër. Nga hetimi disiplinor i kryer nga inspektorë të ILD, për prokurorët XH.M. dhe R.K., provat ishin të pamjaftueshme për të provuar kryerjen e shkeljes disiplinore, ndërsa hetimi ka vijuar për prokuroren B.Z.

Nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në analizë të punës së kësaj magjistrateje në periudhën 2013-2021, provohet se:

Nga ana e prokurores B.Z. janë ndërmarrë veprime dhe mosveprime, që përbëjnë mospërmbushje të pajustifikuar dhe të përsëritur të funksioneve gjatë hetimit, duke sjellë zvarritje të pajustifikuara të akteve procedurale, të cilat janë të detyrueshme për zbatim nga ana e magjistratëve.

Si pasojë e veprimeve e mosveprimeve të magjistrates, nuk i janë dhënë zgjidhje ligjore 33 procedimeve penale, si dhe nuk është kryer asnjë veprim verifikimi në lidhje me 300 kallëzime.

Magjistratja ka zvarritur hetimet paraprake duke mos i kryer veprimet hetimore në kohë dhe në dinamikë për periudha të gjata kohore të gjata, tej afateve procedurale dhe pa pasur arsye ligjore.

Magjistratja ka kryer të njëjtën shkelje, gjatë periudhës kohore 2013 – 2021, duke bërë që shkelja të jetë vazhduese.

Shkeljet proceduriale të kryera nga magjistratja, provohen të jenë kryer me dashje direkte. Kjo bazuar në formimin dhe eksperiencën e gjatë si prokurore, si dhe për faktin se për këto lloj shkeljesh, ndaj saj në vitin 2014 është dhënë masa disiplinore “Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”.

Veprimet e magjistrates B.Z. kanë sjellë pasoja në dhënien e drejtësisë dhe kanë cënuar imazhin e organit të akuzës duke ulur besimin e publikut tek drejtësia.

Veprimet dhe mosveprimet e magjistrates B.Z. përbëjnë shkelje shumë të rëndë disiplinore, që diskrediton pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë i propozon Këshillit të Lartë të Prokurorisë masën disiplinore “Shkarkim nga detyra”, parashikuar nga neni 105, pika 1, shkronja “dh” dhe neni 111, pika 2 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe neni 148/d, pika 2, shkronja “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.