Transmetuar më 21-01-2022, 07:52

Luftoi me ISIS, dënohet një shtetas kosovar.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 2 vite e 6 muaj burgim të akuzuarin për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist Fidan Demollin, pasi vetë ai kishte pranuar fajësinë që luftoi për ISIS-in.

Gjykatësja Shadije Gërguri gjatë shpalljes së aktgjykimit, ka njoftuar se të akuzuarit Demolli, në dënimin e shqiptuar do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Fidan Demolli në gusht të vitit 2014, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS në Siri, së bashku me personin Ardian Hyseni, nga Prishtinë, përmes vendkalimit kufitar “Hani i Elezit”, kishin depërtuar në Maqedoninë e Veriut.

Siç thuhet në aktakuzë, më pas përmes Bullgarisë kishin arritur në Turqi-Stamboll e pastaj në Gazientep dhe pas kontaktit me Burim Demollin, kishin depërtuar në brendi të Sirisë dhe ishin regjistruar në ISIS, ishte pajisur me pushkë automatike AK-47 dhe pas ushtrimeve luftarake kishte marrë pjesë në luftërat në Siri.

Sipas PSRK-së, më pas i njëjti është dorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane ku ka qëndruar deri më 17 korrik 2021, e më pas është riatdhesuar në Kosovë.

Për këto veprime, Demolli u ngarkua me veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, për të cilin mori dënimin.