Transmetuar më 21-01-2022, 09:03

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla, ka bërë një paraqitje të shkëlqyer me Romën mbrëmjen e kaluar ndaj Lecce, duke qenë një nga më të mirët në fushën e lojës.

Lojtari kuqezi përveç se bëri shumë mirë në fazën mbrojtëse, ia doli të realizojë edhe një gol, që për verdhekuqtë ishte goli i përkohshëm i barazimit (1-1), në sfidën e fituar nga skuadra kryeqytetase me shifrat 3-1, e vlefshme për Kupën e Italisë.

21-vjeçari shqiptar goditi saktë me kokë pas pasimit nga Abraham dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke festuar kështu golin e parë me Romën nën drejtimin e trajnerit Mourinho.

Sipas uebsajtit të specializuar për statistika, “SofaScore”, Kumbulla është vlerësuar me notën 7.8, duke qenë një nga lojtarët më të kuotuar në këtë ndeshje. Shqiptari, ashtu sikurse edhe në ndeshjen e kaluar, ka bërë mjaft mirë me Romën.

Pas ndeshjes, 21-vjeçari kuqezi foli për mediat italiane: “Ne nuk e nisëm mirë ndeshjen, kështu që u përpoqëm të rrisim ritmin. Jam i lumtur me golin e shënuar, më pas në pjesën e dytë rritëm ritmin dhe fituam.

Po ndihem shumë më mirë në fushë, i sigurt, kam besimin e trajnerit, të shokëve të mi. Kjo i ndihmon shumë lojtarët. Sonte luajta mirë dhe ndihmova ekipin tim. Tani po mundohem të korr frytet e punës së bërë në muajt e fundit, po jap më të mirën”.