Transmetuar më 21-01-2022, 09:24

Nervat janë më të tendosura se kurrë. Barcelona tha mjaft dhe vendosi të ardhmen e Ousmane Dembélé. Lojtari francez, të cilit i skadon kontrata në qershor, është bërë protagonist i hezitimit për zgjatjen e marrëveshjes. Të paktën deri dje, kur Blaugrana-t bënë një zgjedhje.

Dembélé nuk është thirrur për ndeshjen kundër Athletic Bilbaos, e vlefshme për raundin e dytë të Kupës së Mbretit. Vetë Xavi është treguar i vendosur për situatën: “Nuk ka më kohë, mbeten vetëm dy rrugë: të firmosë ose shitet menjëherë”.

24 orë më vonë erdhën fjalët e Mateu Alemany, drejtorit sportiv të Barcelonës, i cili i dha fund çështjes, duke sqaruar njëherë e mirë fatin e francezit: "Kontaktet për rinovimin kanë vazhduar që nga korriku i kaluar, ne kemi paraqitur disa propozime.

Oferta e fundit nuk është pranuar. Ne besojmë se vendimi i Dembélé nuk është të vazhdojë te Barça. Ai duhet të largohet sa më shpejt të jetë e mundur. Ne nuk duam të mbajmë lojtarë që nuk besojnë në këtë klub”.

Dembélé iu është përgjigjur synimeve të klubit katalanas me këtë shënim, që pasqyron mendimin e tij: të qëndrojë te Barcelona të paktën deri në skadimin e kontratës: "Unë nuk mendoj se jam jashtë projektit. Le të mos flasim për qëllimet, që nuk i kam pasur kurrë.

Unë kam një kontratë dhe jam në dispozicion të Xavit, nuk do të dorëzohem. Janë negociata në vazhdim, që po i trajton agjenti im. Unë jam i fokusuar vetëm te fusha e lojës”. Ousmane Dembélé, në fakt, është në treg, duke hapur skenarë që deri më tani kishin të bënin vetëm me sesionin e verës.