Transmetuar më 21-01-2022, 09:44

Olivier Giroud është e kundërta e francezit tipik që, le të themi, nuk pëlqehet nga shumë italianë. Ai nuk i thur vetes lavde, pavarësisht se ka fituar një Botëror, një Ligë Kampionesh dhe disa tituj të tjerë. Sulmuesi veteran është një djalë i qeshur, me shaka të gatshme, që në fushë sakrifikohet për shokët e tij dhe jashtë përpiqet të vendosë raporte bashkëbisedimi me të gjithë.

Në intervistën për “Corriere dello Sport”, ai filloi duke thënë se donte të përgjigjej në anglisht, por në vend të kësaj fliste gjithmonë italisht, duke arritur të citonte Mandelën ("Nuk ka rëndësi sa herë ke rënë, por sa je ngritur"). Dëshira e tij dhe e Milanit për autokritikë pas gabimit me Spezia është e madhe. Juventusi, rivali i radhës është i paralajmëruar.

Giroud, si po pritet Milan-Juve nga ju?

Pas humbjes të hënën, ne filluam të shikojmë përpara përsëri. Sigurisht që kemi analizuar gabimet e bëra për t’u përmirësuar edhe më shumë, por në futboll, pas një rezultati negativ, nuk mund të fosilizosh veten. Duhet të kthesh faqen dhe të fillosh menjëherë. Tani, pra, përqendrimi maksimal është për Juventusn. Do të jetë një ndeshje e shkëlqyer, na duhet një paraqitje më e mirë se ajo kundër Spezia. Kemi nevojë për një sprovë të jashtëzakonshme që t’i mposhtim bardhezinjtë.

A jeni të habitur që bardhezinjtë nuk po luftojnë për titullin?

Ata nuk e nisën mirë, por kjo nuk do të thotë se nuk janë të fortë. E pranoj se prisja t’i shihja në garën për titull, sepse Juventusi është gjithmonë Juventus. Përtej renditjes dhe largimit të Cristiano Ronaldos, lojtarit të tyre më të mirë në ditët e fundit të merkatos, ata kanë ende një ekip të përbërë nga elementë të rëndësishëm si Dybala, një element kyç dhe kampion. Ndoshta kanë paguar dëmtimet e shumta, por për nga cilësia dhe sasia janë ndër më të mirët në Itali. Kjo është arsyeja pse unë nuk i besoj Juventusit. Po kalon një moment të mire, ndaj na duhet ta përballojmë në mënyrën e duhur.

Nga çfarë keni frikë më shumë?

Ata janë një ekip me përvojë dhe nënvlerësimi i tyre do të ishte gabim. Juventusi ka shumë opsione përpara. Përveç Dybala, janë Morata, i cili nuk ka luajtur shumë kohët e fundit, sepse është përfshirë në bisedimet e tregut, Kean, i cili është kthyer në Itali pas përvojës jashtë vendit, dhe Kulusevski. Nuk ka asnjë element të vetëm që mund të bëjë diferencën dhe nga i cili duhet të keni kujdes. Juve është historikisht një formacion fizikisht i fortë dhe solid, ndaj të cilit fiton vetëm nëse luan një ndeshje të shkëlqyer.

Bardhezinjtë vijnë nga tetë rezultate pozitive radhazi në kampionat, ju nga lapsusi ndaj Spezia…

Ne nuk duhet të humbasim besimin te vetja apo të na mbizotërojë frika dhe dyshimet sepse humbëm në shtëpi një ndeshje që duhej ta fitonim. Kundër Juventusit dua ta shoh sërish Milanin të vendosur dhe të gatshëm për ta shpaguar veten menjëherë.

A është e vërtetë që keni qenë afër nënshkrimit për Juventusin në të kaluarën?

Po, ndodhi në verën e vitit 2020, me Pirlon si trajner, por unë preferova të qëndroja te Chelsea, ku doja të luaja shanset e mia. Duke pasur parasysh se si përfundoi sezoni (fitore në Champions League), mora vendimin e duhur.