Transmetuar më 21-01-2022, 11:19

Miralem Pjanic është rikthyer për të folur për Juventusin dhe Massimiliano Allegrin. Ai e bëri këtë në një intervistë që u transmetua përmes një hapësire në Twitter. Temat e trajtuara ishin të ndryshme.

Kur u pyet se kush kishte qenë trajneri më i mirë ndonjëherë në karrierën e tij, mesfushori i Besiktas, i cili luajti te Juventusi për katër vite, deklaroi: "Allegri është trajneri më i mirë që kam pasur ndonjëherë.

Unë bëra hapa të mëdhenj me të. Ai më bëri një lojtar më të fortë, duke më treguar se si ta shoh futbollin në një mënyrë tjetër. Ne e kuptuam njëri-tjetrin në mënyrë perfekte. Tri vitet me të ishin vite fantastike.

Ne fituam gjithçka me Juven, duke arritur gjithashtu në finalet e Ligës së Kampionëve. Edhe nëse nuk arritëm ta fitonim Champions-in, luajtëm dy finale të paharrueshme. Fitimi i kampionatit të Serie A, Kupës së Italisë dhe Superkupës ishte një çmenduri. Ne ishim një ekip i madh, me një trajner të madh".

Nuk munguan lavdërimet e boshnjakut edhe për Luis Enrique: "Ishte ai që më donte me çdo kusht në Itali. Pashë diçka të veçantë tek ai. Edhe nëse për fat të keq kemi punuar vetëm për një sezon te Roma, ishte një vit i mrekullueshëm. Sarri dhe Spalletti janë dy trajnerë të mëdhenj”.

Së fundi, Pjanic shpjegoi se e konsideron si çështje respekti të mësosh gjuhët e vendeve ku shkon për të luajtur: "Për të qenë një lojtar i madh, duhet të jesh edhe një njeri i madh. Unë gjithmonë do t’i falënderoj prindërit e mi për llojin e arsimimit që më kanë dhënë.

Flas shumë gjuhë, sepse mendoj se është një formë respekti ndaj një vendi. Kur isha në Francë, Itali dhe Spanjë, mësova gjuhët e tyre. Punova në ato vende, ndaj duhej t’i dija gjuhët e tyre përkatëse”.