Transmetuar më 21-01-2022, 11:49

Një Champions League dhe një titull i Serie A me Milanin, tri Kupa Italie dhe dy Superkupa me kuqezinjtë dhe Fiorentinën. 94 ndeshje dhe 26 gola për kombëtaren portugeze. Karriera e Rui Costa nuk është kurrsesi e dobët.

Ish- mesfushori është konsideruar gjithmonë një nga më të mirët e gjeneratës së tij, si në Portugali, ashtu edhe në Itali. Ndaj duket e çuditshme që dikush mund t’i ketë bërë një përshtypje të tillë ish-lojtarit të Milanit sa ta detyrojë atë… të turpërohet.

Gjithsesi, nuk ka asgjë të mirëqenë kur bëhet fjalë për Cristiano Ronaldon. Të dy luajtën së bashku për kombëtaren dhe, sipas raportimeve të “Goal”, “Topi i Artë” i ardhshëm i bëri shumë përshtypje Rui Costa.

“Nuk kam luajtur asnjëherë me Messin, por kam pasur privilegjin ta bëj këtë me Cristiano Ronaldon, kur ai po rritej në botën e futbollit. Në kombëtare ishte më i riu nga të gjithë, por u integrua menjëherë shumë mirë.

Çdo ditë bënte një veprim të ri me topin për të rënë në sy. E vërteta është se ne kishim turp t’i provonim ato veprime në stërvitje, ndaj e imitonim fshehurazi. Pastaj, në mbrëmje ai fliste vetëm për driblimin, ndërsa ne përpiqeshim t’i injektonim rëndësinë e lojës ekipore.

Në realitet të gjithë thonim se me siguri do ta fitonte “Topin e Artë”. Talenti i tij dukej qartë nga mënyra se si stërvitej. Nuk kisha dyshime as unë dhe as lojtarët e tjerë më me përvojë. E dinim që kishim përballë një sportist me vullnet të jashtëzakonshëm. Ai kishte edhe kokën, edhe këmbët për të qenë më i miri. Dhe për fat të të gjithëve, kështu shkoi”.

Një deklaratë e plotë dashurie nga Rui Costa, i cili tregoi gjithashtu se ishte gati të kalonte nga Benfica te Barcelona, por më pas nuk u bë asgjë: “Më vuri në dijeni Jorge De Brito, presidenti i Benfica, i cili me shitjen time do të kishte frenuar krizën ekonomike të klubit. Megjithatë, me zgjedhjet e reja, De Brito duhej t’i linte vendin Manuel Damasio dhe asgjë nuk ndodhi”.

Në fund përfundoi te Fiorentina dhe Milani në Serie A, ku spikati si një nga mesfushorët më të mirë të brezit të tij.