Transmetuar më 21-01-2022, 13:11

Java e 17-të e Superiores e ngre siparin sot, me ndeshjen Vllaznia-Egnatia. Nesër do të luhen sfidat e tjera, ndër të cilat ajo mes Partizanit dhe Kastriotit. Trajneri i të kuqve, Dritan Mehmeti, doli sot në konferencë për shtyp dhe bëri prognozën e tij:

“Çdo ndeshje ka një histori më vete. Mënyra sesi e interpretuam pjesën e parë ndaj Egnatias lidhej me periudhë pa ndeshje zyrtare, gjë që ndikon. Ekipi vinte nga një ngërç psikologjik. Jemi munduar që së bashku me skuadrën ta analizojmë ndeshjen me Egnatian.

Pavarësisht se fituam duhet të nxjerrim edhe mësime, sepse nuk e kemi interpretuar ashtu siç duhet. Gjithsesi, skuadra tregoi forcë karakteri në pjesën e dytë dhe morëm ritmin e duhur. Aspekti psikologjik? Gjithmonë rezultati pozitiv sjell bonus emocional dhe entuziasëm brenda grupit.

Megjithatë, ne duhet të jemi me këmbë në tokë, sepse nuk kemi bërë asgjë, por thjesht detyrën. Skuadra është përgatitur me ritmin e duhur dhe e kemi vlerësuar maksimalisht ndeshjen ndaj Kastriotit. Krutanët vijnë nga një fitore e merituar ndaj kampionëve në fuqi, Teutës.

Nesër duhet të jemi shumë seriozë dhe konkretë, pasi çdo ndeshje ka vështirësinë e saj. Kastrioti ka ndryshuar jo vetëm në stafin teknik, por edhe në grupin e lojtarëve. Ka ndryshuar edhe filozofinë e lojës. Gjithsesi, ne jemi Partizani dhe do të japim për fitoren.

Largimi i Mustës? Për pjesën e kampionatit që ka kaluar, klubi ka zhvilluar një analizë të hollësishme. Kemi arritur në konkluzione që disa lojtarë nuk kanë dhënë atë që pritej. Ky është një vendim i klubit.

Situata e Kallakut? Cilësitë e tij dihen. Ai është integruar shumë mirë me grupin dhe ka marrë pjesë rregullisht në të gjitha seancat stërvitore. Mendoj që nesër do të jetë pjesë e formacionit, por ende nuk kemi vendosur nga fillimi apo jo.

Merkatoja? Ky sesion i janarit nuk ofron shumë element, është shumë e vështirë që të gjesh atë lojtar që kërkon. Megjithatë, klubi po punon për të gjetur një sulmues. Objektivat? Çdo fitore ka rëndësinë e saj. Unë mendoj që për ne është shumë e rëndësishme ndeshja e radhës.

Ky është edhe objektivi im kryesor. Ne duhet të fokusohemi te ndeshja e radhës, të kapim ritimin e duhur. Pas çdo ndeshjeje duhet të bëjmë analizën dhe të nxjerrim gradualisht objektivin që ka skuadra.

Kontrata? Unë me Partizanin nuk para nënshkruaj kontrata, por kemi bërë një të tillë. Normalisht, duke qenë pjesë e Partizanit dua ta shoh sa më lart. Ajo që më kënaq për momentin është fitorja”.