Transmetuar më 21-01-2022, 17:21

Siç ishte njoftuar, moti i keq me stuhi, reshje të dendura shiu dhe dëbore kanë sjellë problemet e para në të gjitha qarqet e vendit, ku situata më e rënduar paraqitet në Dibër e Kukës. Të dy këto qarqe janë zgjuar sot të mbuluara nga dëbora dhe ngricat, që kanë sjellë vështirësi në qarkullimin e mjeteve, por edhe të këmbësorëve. Si pasojë e borës dhe ngricave në rrugë, mesditën e sotme ARRSH njoftoi se do të mbyllet përkohësisht Rruga e Arbrit, duke ndaluar qarkullimin e mjeteve në këtë aks, për shkak të rrezikshmërisë së lartë në ByPass-in e Muzinit. Bllokimi do të vijojë deri në një njoftim të dytë.

Qyteti i Dibrës dhe fshatrat rreth saj janë zgjuar sot të mbuluara nga dëbora. Përtej pamjes së mrekullueshme që të ofron peisazhi i kësaj zone, në thellësi trashësia e dëborës shkon deri në 25 centimetra dhe sjell vështirësi shumë të mëdha për banorët. Në aksin Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës; Peshkopi-Draj Reç-Kukës; Ura e Çerenecit-Steblevë-Librazhd, segmenti nga Ostreni drejt Steblevës kalimi duhet të bëhet me zinxhirë. Reshjet e dëborës kanë shkaktuar probleme të mëdha me qarkullimin e mjeteve në qytetin e Peshkopisë. Dosja.al ka sjellë edhe pamje ku shihen se disa prej automjeteve që përdorin akset kryesore të qytetit, por jo vetëm, janë bllokuar njëri pas tjetrit, duke shkaktuar kaos në qarkullim. Disa prej tyre xhirojnë gomat në vend, por dëbora dhe ngricat e bëjnë të pamundur që të lëvizin. Prefekti i Qarkut Dibër Nexhbedin Shehu ka folur për situatën e krijuar nga dëbora ku është shprehur se disa zona janë pa energji elektrike. Shehu shtoi se nëse do të ketë bllokime nga dëbora, institucioni që ai drejton i ka marrë të gjitha masat, duke u shprehur se kanë mjete të kalueshmërisë së lartë, ndërsa apeloi që shoferët të mos lëvizin pa goma dimërore, pasi në akset rrugore do të ketë prezenca akulli.

Edhe Qarku i Kukësit është zgjuar i zbardhur nga dëbora mëngjesin e sotëm ndërkohë gjatë natës është shoqëruar me reshje shiu me intensitet mesatar dhe erëra të forta. Lartësia borës në Shishtavec 40 cm, në Valbonë 15 cm dhe në Qafë Prushi Has 10 cm. Furnizimi me energji elektrike është normal, përveç, Njësisë Administrative Ujmisht, Bushtricë dhe Grykë- Çajë, Tërthore, fshatrat Shishtavec, Novosej, Zapod Njësisë Administrative Shishtavec, 400 abonentë në bashkinë Kukës e Njësinë Administrative Gjinaj.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka reaguar në lidhje me situatën e motit të keq që ka përfshirë vendin tonë që prej pasdites së djeshme. Sot ARRSH u ka bërë apel sot shoferëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos lëvizin me shpejtësi, veçanërisht në zonat malore. Në njoftimin e ARSSH theksohet se nevojitet pajisja me zinxhirë apo goma dimërore, për të lëvizur në rrugë, ndërsa bën me dije se, reshje dëbore ka pasur në: Boboshticë-Dardhë, Qafë Thanë-Kapshticë, Fushë Stude-Klenjë, Bajram Curri-Valbonë, Kukës-Ura e Zapodit, Qafë Mali-Fierzë, Dedaj-Razëm-Bogë, Kuben-Vasije, Qafë Qelë-Pukë-Fushë Arrëz-Fushë Dukagjin, pa sjellë probleme me qarkullimin. Juglindja e vendit është përfshirë nga dëbora e shoqëruar edhe me erë të fortë çka krijon vështirësi në lëvizjen e mjeteve. Reshjet me intensitet më të lartë janë në Qafë Thanë e Pogradec si edhe Dardhë. Policia i bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë.

Reshjet e dëborës kanë përfshirë edhe qytetin e Librazhdit dhe disa fshatra rreth tij. Stebleva e Librazhdit është mbuluar nga dëbora, ku trashësia ka arritur në 20 cm dhe situata pritet të jetë problematike nesër kur të fillojnë ngricat. Policia apelon që në aksin nacional Librazhd –Peshkopi, pas pasdites të sotme të merren masa për qarkullim me zinxhir për shkak të ngricave dhe dëborës që vazhdon e bie.

Ministria e Mbrojtjes ka shpërndarë në një postim në rrjetet sociale disa këshilla praktike nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile për banorët e zonave ku parashikohen reshje bore dhe temperatura shumë të ulëta. Policia e Shtetit ka dhënë një informacion të detajuar për të gjithë qytetarët që do të perdorin akset rrugore në Qarkun Kukës, dhe apelon të kenë kujdes pasi priten temperatura akoma më të ulëta në ditët në vijim dhe për rrjedhojë mund të këtë prani të ngricave dhe akull në rrugë. Akset rrugore të kalueshme me zinxhirë janë: Kukës- Shishtavec, Kukës -Shëmri, Bajram Curri-Valbonë, Bajram Curri-Qafë Morinë, Bajram Curri-Qafë Luzhë.

Për shkak të temperaturave të ulëta që do të përfshijnë vendin, Ministria e Arsimit ka pezulluar mësimin gjatë tre ditëve të para të javës së ardhshme nga 24-27 janari, ndërkohë që Mbrojtja Civile shkruan se temperaturat në vend pritet që të zbresin deri më -18 gradë Celsius. Sipas tyre, instancat përkatëse janë në kontakt me të gjitha njësitë vendore për të marrë masat në mënyrë që të përballohet situata e vështirë meterologjike që e pret vendin. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është në gatishmëri lidhur me të ftohtin që pritet të përfshijë vendin në ditët në vijim. Duke cituar shërbimin e Meteorologjisë Peleshi bën me dije se në disa zona si Bulqiza dhe Puka termometri do zbresë në -18 gradë Celsius. Ministria e Mbrojtjes apelon qytetarët, veçanërisht ata në zonat e thella, të ndjekin këshillat e shtabeve të emergjencave në bashkitë e tyre për të shmangur situata të rënda.

Ndërkohë, sa i përket motit për ditën e sotme, duke filluar nga orët e para do të paraqitet me vranësira dhe reshje shiu në zonat bregdetare por reshje dëbore në gjysmën lindore të vendit. Parashikohet që pasditja dhe nata të sjellin rënie të temperaturave dhe për pasojë edhe zonat e ulëta rrezikojnë të përfshihen nga reshjet e dëborës. Temperaturat e ajrit do të rriten në mëngjes por ulen ndjeshëm në mesditë me të paktën 5 gradë duke luhatur vlerat ditore nga -3°C deri në 9°C. Era do fryjë mesatare në tokë por e fortë në det me shpejtesi 45-50 km/h nga drejtimi Verilindor duke krijuar ne det dallgëzim 4 ballë.