Transmetuar më 21-01-2022, 21:58

Një atentat mund t’i merrte jetën presidentit serb Aleksandër Vuçiç më 14 janar. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandër Vulin, duke iu referuar informacioneve zytare nga Europoli.

“Përmes Europolit, më 14 janar morëm informacionin me fjalën “urgjente” nga një shtet anëtar i BE-së se një grup kriminal do të vrasë Presidentin e Republikës. Pasi morëm informacionin së bashku me Europolin, nisëm një aksion të gjerë që synonte parandalimin e vrasjes.

Kreu i asaj organizate është shtetasi malazez, Radoje Zvicer, një nga krerët e klanit Kavaç, i cili akuzohet për organizimin dhe urdhërimin e disa vrasjeve në territorin e Malit të Zi dhe vendeve të tjera.

Një hetim do të përcaktojë nëse Radoje Zvicer e ka bërë këtë për interesa të liderëve të tij politikë. Ministria e Brendshme do të bëjë gjithçka për të hetuar plotësisht këtë rast dhe për të parandaluar vrasjen e presidentit” – tha Vulin, raporton noa.al duke cituar Blic.

Ndërkohë që Vojisllav Sheshel, lideri i Partisë Radikale Serbe pretendon se porosia është dhënë nga presidenti malazez Milo Gjukanoviç për shkak se Vuçiç po qëndronte shumë pranë serbëve në Mal të Zi.