Transmetuar më 22-01-2022, 11:16

Skuadra e kategorisë së tretë holandeze, Excelsior, u dërrmua 9-0 në “Johan Cruyff Arena”, me Danilo që realizoi “hat-trick”, krahas golave ​​të Nicolás Tagliafico, Youri Regeer, Kristian Hlynsson dhe Mohamed Daramy.

Megjithatë, kishte ende gjëra të forta kjo ndeshje, sidomos për Excelsior, që e la transfertën e Amsterdamit me një moment të prekshëm. Fjala është për hyrjen në fushë si zëvendësues, në pjesën e dytë, të Devin Plank.

Sipas “Daily Mail”, Plank është diagnostikuar me një tumor kanceroz në fibulën e tij pothuajse një vit më parë dhe nuk kishte luajtur që nga tetori 2020. Pra, kjo ndeshje ndaj Ajax shënonte rikthimin e tij.

Pasi shkoi në spital, duke u ankuar për dhimbje në këmbë, sulmuesi i Excelsior u diagnostikua me një tumor malinj dhe thuhet se ka ndjekur kimioterapinë që atëherë.

Megjithatë, kur Excelsior pati shansin të sfidonte gjigantët evropianë të Ajax në Kupën e Holandës,  klubi e pa atë si mundësinë e përsosur për të mirëpritur Plank përsëri në fushat e blerta.

Mjekët këshilluan që 20-vjeçari të luajë maksimumi dy minuta për të mos ndikuar në rikuperimin e tij dhe ai u fut në lojë në minutën  89-të. Një rikthim triumfues në planin njerëzor, jo rezultativ.

Megjithatë, ajo që e bëri këtë moment edhe më të veçantë ishte fakti se lojtarët e Ajax dhe Excelsior u bashkuan për ta mirëpritur atë në fushë me një “roje nderi”.

Pamjet e 22 lojtarëve të rreshtuar pranë vijës së mesit të fushës për të nderuar rikthimin e tij në sportin më të dashur sjellin lot në sy për cilindo. Këtë moment rrëqethës mund ta shikoni në videot më poshtë: