Transmetuar më 22-01-2022, 11:42

Kisha në të cilën shërbente prifti që përdhunoi një të mitur shqiptare është sulmuar gjatë natës së kaluar.

Ngjarja dyshohet se është vepër e organizatave të majta. Në muret dhe portën e kishës është hedhur bojë në ngjyrë të kuqe dhe janë shkruar parulla kundër dhunës ndaj grave.

Përdhunimi i të miturës që në moshën 12-vjeçare për rreth 4 vite ka tronditur vendin. Vajza, e cila sa herë shkonte në kishë shihte priftin e frikësuar, ka zgjedhur t’i tregojë prindërve të vërtetën.

Autori i ngjarjes është prift dhe shërben në një kishë në lagjen Kato Patisia të Athinës, zonë në të cilën banon edhe familja shqiptare.

Ai vetë është prind i tre fëmijëve dhe ka mohuar akuzat, por autoritet thonë se tashmë e kanë konfirmuar autorësinë e tij në përdhunimin e të miturës, ndërkohë që në kompjuterin e tij janë gjetur materiale pornografike. Nga ana tjetër, avokati i tij thotë se nuk është gjetur asnjë material pornografik dhe e mitura e ka ngacmuar vetë priftin duke i dërguar mesazhe, por ai nuk është përgjigjur.

Ai u dërgua në gjykatë, e cila vendosi ta çojë në burg, ndërsa gjatë mbrëmjes të së premtes raportohet se ka edhe të paktën një denoncim të dytë për akt të njëjtë prej tij.