Transmetuar më 22-01-2022, 12:37

Ish-kryeministri, Sali Berisha ka rikthyer ‘Foltoren’ dhe takimet me demokratët në qytete të ndryshme. Ditën e sotme, nga Rrësheni hodhi sërish akuza ndaj diplomates amerikane Yuri Kim duke thënë se është shndërruar në një zëdhënëse të qeverisë.

Duke cituar raportet negative të DASH për krimin e organizuar dhe korrupsionin, Berisha tha se asnjë prej tyre nuk është përkthyer. Por Berisha i bëri të qartë Kim se shqiptarët janë inteligjentë, ndërsa më humor tha se janë po ata që për një plesht djegin jorganin.

Berisha: Shqipëria është në një agresion të krimit sa kurrë ndonjëherë më parë. DASH deklaron në raportet e tij se Shqipëria është qendër operacionale e organizatave kriminale të rajonit, Amerikës së Veriut, Amerikës së Jugut, Lindjes së Mesme dhe Europës. DASH deklaron se Shqipëria ka një korrupsion të papërmbajtur në të gjitha nivelet, agresiv. Si ka mundësi që këto deklarata nuk përkthehen në deklarata të përfaqësuesve të SHBA në Tiranë? Çfarë thonë ata për shqiptarët? Inteligjentë. Kanë probleme të tjera pastaj që për një plesht djegin jorganin.

Zoti nuk i çon të gjitha të mirat në një vend, e kuptoni vetë, i shpërndan. A janë transkriptuar, a janë përkthyer këto konstatime serioze të qeverisë së SHBA në deklaratat e përfaqësuesve të kësaj qeverie në këto 8 vite në Shqipëri? Shqipëria është sot në vendin e dytë në botë për ryshfetin, Shqipëria vend anëtar i NATO-s bën gjithçka për të qenë zonë influence e Rusisë dhe Turqisë. Ballkani i Hapur është vendosje e hegjemonisë serbe në rajon, automatikisht influencë ruse në rajon.

Europa vjen dhe deklaron se ky është i dëmshëm. DASH deklaron se është i dëmshëm kështu siç është. E keni dëgjuar ndonjë deklaratë të tillë ju nga përfaqësuesit e SHBA në Tiranë? Përkundrazi, lavdërim sikur të jenë përfaqësues të Edi Ramës dhe jo përfaqësues të qeverisë amerikane.