Transmetuar më 23-01-2022, 11:21

Kryeministri Rama, disa javë më parë, njoftoi nismën e këshillimit kombëtar të qeverisë me qytetarët. Kjo nismë përfshin një pyetësor  me disa prej temave më të ndjeshme që Rama ka vendosur t’i  diskutojë me opinionin publik. Pyetësori përbëhet nga 12 pyetje me  tema si sociale ashtu edhe ekonomike.

Një nga këto tema është edhe kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore. Këtë të diel, Rama ka ftuar të gjithë shqiptarët të japin mendimin e tyre lidhur me këtë çështje.

Pyetja 6 në pyetësorin e Këshillimit Kombëtar:

Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa e legalizuar për arsye përdorimi vetjak. Të tjerë thonë që kanabisi nuk duhet të lejohet as për qëllime mjekësore. Si mendoni ju?

Kanabisi mjekësor, i cili është i ndryshëm nga kanabisi për përdorim vetjak, provohet gjerësisht nga shkenca se ka efekte kurative. Megjithatë, siç rezulton nga eksperienca e vendeve të ndryshme të rajonit apo botës, shfrytëzimi i kontrolluar i kanabisit nga shteti ka impakt shumë pozitiv jo vetëm në shëndetësi, por edhe në rritjen ekonomike dhe në luftën kundër shfrytëzimit të paligjshëm të kësaj bime.