Transmetuar më 24-01-2022, 18:18

Acari polar po arrin kulmin me temperatura ekstreme në Shqipëri.

Skaji më verior i Shqipërisë, Vermoshi ka shënuar temperaturën më të ulët (-23°C) sot. Në zonën e Thethit termometri shënoi temperaturën -18°C.

Në këto zona të thella malore ka pasur vështirësi për sa i përket lëvizjes së automjeteve. Rrugët drejt Kelmendit dhe Fushë Arrëzit konsiderohen si më problematiket për sa i përket qarkullimit të makinave. Bashkitë u kërkojnë shoferëve që të përdorin zinxhirët në goma në këto rrugë.

Lidhur me furnizimin me energji elektrike dhe ujin e pijshëm, në Vermosh familjet mbetën disa orë pa energji elektrike, ndërsa në Vaun e Dejës ka patur ndërprerje të ujit të pijshëm për shkak se kanë ngrirë tubacionet.

I gjithë vendi është nën ndikimin e të ftohtit polar. Sinoptikania Lajda Porja deklaroi ditën e sotme se nesër do të jetë dita më e acartë e këtij muaji. Porja tha se temperaturat në zonat malore do të shkojnë deri në minus 17 gradë celsius, ndërsa në Tiranë pritet të zbresë deri në minus 5 gradë.

Temperatura po kaq ekstreme janë regjistruar edhe në Dibër, Kukës, Librad, korçë, Ersekë etj. Sonte dhe nesër pritet që termometri të kalojëderi në -30 gradë në disa fshatra të thellë në Librazhd si Qarrishta.

Sipas sinoptikanes, vala e të ftohtit pritet të tërhiqet nga Shqipëria ditën e mërkurë, ku moti do të vijojë i kthjellët dhe me temperatura normale për muajin janar.