Transmetuar më 29-01-2022, 11:33

Një nga kryendeshjet e javës së 18-të të Superiores është Tirana-Kukësi, e cila do të luhet nesër, prej orës 16:45 në “Arena Kombëtare”. Po flasim për dy skuadrat e vendeve të para në klasifikimin aktual, ndaj rëndësia e suksesit është e madhe.

Në konferencë për shtyp, në prag të duelit me verilindorët, ka dalë Orges Shehi dhe Erion Hoxhallari, trajneri dhe kapiteni bardheblu. I pari nënvizoi: “Mendoj që është një ndeshje e rëndësishme, por jo më e rëndësishmja. E kemi trajtuar si ndeshjen e radhës. Është një ndeshje e radhës, që do vlerësim maksimal, por ka ende shumë ndeshje për t’u luajtur deri në fund të kampionatit.

Deri tani kemi zhvilluar një kampionat pozitiv dhe nesër mund të bëjmë bilancin, si do të jetë fundi i dy fazave të para. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm dhe të marrim maksimumin gjithmonë. Ndeshjet përballë rivalëve direktë vlejnë dyfish.

Për ditën e nesërme, skuadra është e plotë, Hoxhallari është bashkuar me skuadrën dhe nuk kishte asgjë serioze. Atë ditë që nuk ishte mirë nga ana shëndetësore e lamë pushim, e gjithë skuadra është e plotë nesër.

Dy ndeshje radhazi pa fituar ndaj Kukësit? Në kampionat ka skuadra si Vllaznia, ndaj së cilës fitojmë rregullisht. Po ashtu, ka edhe skuadra si Kukësi, ndaj të cilit nuk kemi fituar. Kjo nuk duhet të jetë aspak ngërç psikologjik, se Kukësi është një skuadër që nuk mundet”.

Nga ana e tij, kapiteni Hoxhallari shtoi: “Është një ndeshje si gjithë të tjerat, vlen tri pikë. Sidoqoftë, ka diçka ekstra, pasi sfidojmë një skuadër rivale direkte. Jemi të qetë për nesër, pasi kemi dy rezultate në favorin tonë, ndërsa Kukësi është i detyruar vetëm të fitojë.

Nuk kemi marrë pikë në ndeshjen e kaluar me Kukësin dhe kjo e bën akoma edhe më të rëndësishme përballjen e radhës. Kjo është ndeshja e dytë e kampionatit ndaj Kukësit, shpresoj të jetë sfida e kthesës. Xhixha dhe Seferi? Dy sulmuesit tanë janë cilësorë, por ndoshta, nëse dalin me gola të barabartë, do të ishte akoma edhe më bukur”.