Transmetuar më 30-01-2022, 21:43

Java që presim përpara parashikohet një javë me mot kryesisht të qëndrueshëm por nuk do të mungojnë reshjet e shiut dhe të dëborës, përfshirë edhe temperaturat relativisht të ulta.

TIRANË– Shërbimi Meteorologjik Ushtarak ka bërë parashikimin e motit për javën që vjen në vendin tonë. Mësohet se java që presim përpara parashikohet një javë me mot kryesisht të qëndrueshëm por nuk do të mungojnë reshjet e shiut dhe të dëborës, përfshirë edhe temperaturat relativisht të ulta.

E hëna nis me mot të kthjellët në të gjithë territorin e shtim gradual të vranësirave deri të dendura në orët e mbrëmjes. Ndërsa në mbrëmje reshje shiu me intensitet të ulët e mesatar në formë shtrëngatash përgjatë ultësirës perëndimore.

Ditën e martë, moti parashikohet me kushte atmosferike të paqëndrueshme, me reshje shiu të herëpashershme e lokalisht të vazhdueshme me intensitet të ulët deri mesatar. Ndërsa në veri reshjet lokalisht me intensitet deri të lartë në formën e rrebesheve. Në zonën e Alpeve dhe relievet malore në lindje priten reshje të dendura dëbore, ndërsa këto reshje zbresin deri në lartësitë kodrinore por me intensitet më të ulët.

Më pas, tre ditët në vijim (e Mërkurë, e Enjte dhe e Premte), parashikohen me mot të kthjellët e vranësira të pakta kalimtare. Edhe në relievet malore mot me kthjellime por edhe alternime vranësirash kalimtare. Sa i përket erës, të martën e të mërkurën, ajo do ketë drejtim kryesor nga kuadrati i veriut dhe shpejtësi që arrinë deri në 20-25m/s.