Transmetuar më 31-01-2022, 18:32

Galaja e Festës së Pranverës 2022 e Grupit Mediatik të Kinës (CMG) u transmetua më 31 janar, në vigjilje të Vitit të Ri Kinez, duke i ofruar audiencës botërore një “banket” të shkëlqyer kulturor.

Galaja e këtij viti përfshinte këngë, valle, skeçe, numra akrobacie e magjie, opera dhe art popullor, duke përmbajtur elemente të shenjës zodiakale të tigrit, me harmoninë dhe ribashkimin familjar si tema kryesore.

Në planin teknologjik, shikuesit përjetuan një integrim të thellë të artit dhe teknologjive më të përparuara audiovizuale.

Skena ishte e pajisur me një ekran të lakuar 720 gradë që ishte vendosur për të sjellë një të ashtuquajtur “përvojë përfshirëse” për audiencën.

Organizatorët e galasë kanë përdorur gjithashtu plotësisht realitetin e zgjeruar (XR), realitetin e përforcuar (AR), holografinë e skanimit optik (OSH) dhe teknologjitë e ekranit trepërmasor 8K që shihet me sy të lirë për të krijuar një efekt pamor që thekson ndërveprimin midis realitetit virtual dhe realitetit.

I gjithë personeli pjesëmarrës në Galanë e Festës së Pranverës të këtij viti ishte plotësisht i vaksinuar kundër COVID-19, ndërsa të gjithë anëtarët kryesorë kishin bërë edhe dozën përforcuese.

Përveç kësaj, automjetet e lëvizshme të testimit të acidit nukleik qëndruan gati jashtë vendeve të shfaqjes për testim emergjent. Automjetet ishin të pajisura me një laborator të posaçëm që mund të bënte analizimin e shpejtë të mostrave mjedisore përreth.

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach uron nga Stadiumi Kombëtar i Kinës, Pekin (CMG)

Shfaqja e këtij viti u transmetua drejtpërdrejt në disa televizione dhe radio të CMG, si edhe në platformat e medieve të reja. Gjithsej 600 media nga më shumë se 170 vende e rajone të botës e mbuluan galanë plotësisht ose pjesërisht.

Tre astronautët kinezë përcjellin urimet për Vitin e Ri Kinez nga stacioni hapësinor "Tiangong"(CMG)

Si shfaqja televizive më e ndjekur në botë, sipas Librit të Rekordeve Botërore “Guinness”, Galaja e Festës së Pranverës e CMG-së i ka shoqëruar kinezët në natën e Vitit të Ri Hënor për rreth 40 vjet që nga fillimi i saj më 1983.

Vjet, 1.14 miliardë shikues u panë Galanë e Festës së Pranverës në TV ose në internet, dhe klipet e shfaqjes gjithashtu siguruan mbi një miliard klikime në platforma të ndryshme mediatike.