Transmetuar më 10-02-2022, 08:12

Një histori prekëse vjen nga fshati Zhur i Prizrenit.

E kjo histori nis nga emri i një rruge, ‘Hana’.

Hana ndërroi jetë kur po dilte nuse dhe krushqit ishin afër shtëpisë.

Mustafë Kurtaj, që është një nga banorët më të vjetër të fshatit. Ai tregon se ngjarja është e vërtetë.

“Fatkeqësia ka ndodhur kur nusja, sipas traditës, është përshëndetur me vëllain, babain dhe kur është përshëndetur me njerkën, ajo ka filluar të vajtojë të shkuarën dhe kujdesin që njerka i kishte dhënë. Nusja ka rënë në tokë e vdekur ato momente”, tregon Kurtaj për ATV-në, transmeton Noa.al.

Banori thotë se kur ka arritur babai, ë vend se të mërzitej, u ka dhënë kurajo tjerëve.

“Ndodh edhe kjo, të bëhemi të fortë”!çshtë shprehur babai i vajzës.

Krushqit ishin nisur për ta marrë nuse Hanën pa e ditur gjëmën që kishte ndodhur.

“Babai i Hanës iu kishte dalë në rrugë krushqve pa iu afruar mirë fshatit. Kur mësuan lajmin ata u mërzitur, por babai i Hanës nuk i la të largohen.

Në atë çast një fqinj i afrohet babait të Hanës duke i thënë se “krushqit nuk do të kthehen pa nuse”.

“Në atë moment ai kishte dërguar dikë për të thirrur të bijën 15-vjeçare. Pasi ishin kthyer në shtëpi ai i kishte thënë vajzës: Shaje bijë a do të shkosh ti nuse në vend të Hanës. Vajza menjëherë kishte pranuar pa vënë aspak në dyshim atë që po i thoshte babai. Ajo vajzë edhe sot është gjallë dhe ka mbi 80 vjet”.

Kjo ishte një fatkeqësi e madhe për fshatin Zhur. “Edhe sot mua më vlon barku për atë ngjarje. Ka qenë moment shumë i rëndë”, rrëfen mes lotësh Mustafë Kurtaj.

Por tradita dhe besa e shqiptarit kanë qenë dhe mbeten të forta. Ato përjetësohen në shkrime, legjenda, toponime e emra.