Transmetuar më 11-02-2022, 08:59

CMG-ja zhvillon sistemin e kamerës ultra HD në orbitë për Olimpiadën Dimërore

Grupi Mediatik i Kinës (CMG) ka zhvilluar një sistem të kamerës me qartësi ultra të lartë (ultra HD) në orbitë për Lojërat Olimpike Dimërore.

Ky sistem, i vendosur në Pallatin Kombëtar të Patinazhit të Shpejtësisë të Kinës, mund të lëvizë më shpejt se patinatorët që marrin pjesë në gara.

Gjatë konkurrimit në patinazhin e shpejtësisë, sportistët mund të arrijnë një shpejtësi deri 18 metra në sekondë, ose mbi 60 kilometra në orë, ndërsa patinatorët më të dalluar mund të arrijnë shpejtësinë 70 kilometra në orë.

Kjo kërkon shpejtësi të madhe sinkronizimi edhe nga aparatet e transmetimit. Kamera, me nofkën “Gepardi”, mund të lëvizë 25 metra në sekondë, ose 90 kilometra për orë.

Kështu, ajo mund të ndjekë nga afër patinatorët dhe të kapë manovrat e tyre të përshpejtimit, ngadalësimit dhe parakalimit.

Zhao Wei, kreu i departamentit të pajisjeve speciale të CMG-së, drejtoi grupin e tij në testimin e këtij sistemi dhe ka kaluar një periudhë të gjatë në studimin dhe projektimin e tij.

Sistemi i kamerës u instalua në anën më të jashtme të pistës, para se të miratohej nga Kompania e Shërbimeve të Transmetimeve Olimpike pranë Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.