Transmetuar më 27-02-2022, 09:22

Rikthehen reshjet e dendura të dëborës në qytetet dhe zonat malore të vendit. Mësohet se trashësia e dëborës në Korçë ka shkuar nga 15 deri në 80 cm në zonat e thella malore.

Për pasojë ka vështirësi në qarkullim në disa akse dhe në mjaft fshatra ndërprerje të energjisë.

Akset nacionale janë të gjitha të kalueshme ndërsa në akset Dardhë, Voskopojë, Goricë rekomandohet përdorimi i zinxhirëve dhe gomave dimërore.

Kryetari i bashkisë Devoll Eduard Duro bën me dije se nga natën e kaluar ka mbetur pa energji qyteti i Bilishtit si dhe gjithë fshatrat e Njësive Administrative të kësaj bashkie.

Pa energji elektrike janë 35 fshatra të Njësive Administrative Gorë e Moglicë ashtu siç kanë probleme të furnizimit me energji elektrike fshatra të Njësive Administrative Pojan, Pirg e Vreshtas në bashkinë e Maliqit.

Me probleme me energjinë elektrike janë edhe fshatrat në Njësitë administrative Vithkuq e Lekas në Bashkinë e Korçës ashtu siç ka pasur probleme në disa blloqe banimi edhe në qytetin më të madh të juglindjes së vendit.