Transmetuar më 09-03-2022, 17:36

Një mundësi e ndërprerjes së importit të naftës dhe gazit rus i ka rritur rrufeshëm çmimet duke i çuar në stratosferë. Një fuçi e llojit të naftës (159 litra) kushtonte pak para hapjes së bursës të hënën (07.03) 139 dollarë, niveli më i lartë i çmimit që nga korriku i vitit 2008.

Edhe çmimet e tregtimit me shumicë për gazin në Europë janë rritur me 60 përqind në 350 euro duke e thyer rekordin e së premtes (04.03). Përpara ndërhyrjes ruse në Ukrainë çmimi ishte nën 80 euro.

Por jo vetëm nafta dhe gazi janë shtrenjtuar. Edhe çmimi i paladiumit ka arritur një rekord me 3440 dollarë për ons. Paladiumi përdoret për katalizatorët – dhe Rusia mbulon 38 përqind të prodhimit botëror të paladiumit.

Nikeli përkohësisht u rrit me 30 përqind, gati 38,000 dollarë për ton, niveli më i lartë i çmimit që nga mesi i vitit 2007.

Alumini, që gjithashtu nevojitet në industrinë e makinave, për herë të parë ka arritur çmimin më shumë se 4,000 dollarë për ton, bakri gjithashtu ka shënuar çmim rekord me rreth 10,850 dollarë për ton.

Pas fundit të “një jave të vështirë” edhe kjo javë që sapo nisi do të mbetet në kujtesë, thonë analistët e tregut të lëndëve të para të Commerzbank-ës gjermane.

Karburanti dhe ngrohja do të shtrenjtohen gjithnjë e më shumë

Këto rritje të vrullshme të çmimeve të lëndëve të para dhe shqetësimi për një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës çuan në rënien e kursit të aksioneve në bursë. Pas humbjeve të rënda në tregjet aziatike, edhe bursat në Europë e nisën javën me minuse të forta. Indeksi gjerman i aksioneve, DAX, ra me gati pesë përqind duke shënuar vlerën 12.438 pikë.

Gjatë të hënës megjithatë deri në mbylljen e bursës pati disa rritje të lehta me vlera të përkohshme në plus. Ngjashëm u zhvillua edhe tregtimi i Eurostoxx, që në minutat e para të bursës ra me 3,7 përqind, por më pas pati një ripërtëritje të lehtë të kursit.

Depozituesit po i drejtohen tani arit: çmimi i një ons për herë të parë qysh nga vera 2020 ka arritur në më shumë se 2000 dollarë. Për shkak të dobësimit aktualisht të euros, çmimi i arit është rritur si asnjëherë më parë. “Ne ndodhemi në fillimin e një rendi të ri të ekonomisë botërore”, kështu i shpjegon reagimet e tregjeve të financave Robert Halver, strateg i tregjeve të kapitalit në Baader Bank.

Në përgjithësi ekonomia në Gjermani dhe në Europë do të prodhojë dukshëm më pak për shkak të mungesave dhe çmimeve të larta. Krahas rritjes së kostove të energjisë edhe dëshira për konsum do të bjerë, vërejnë ekspertët. Gjermania është e varur fort prej importit të energjisë dhe tregtisë botërore.

Rritja e çmimeve të lëndëve të para do të përshpejtojë dukshëm edhe inflacionin. Në të gjithë hapësirën e zonës së euros për të gjithë vitin inflacioni mund të rritet me pesë përqind, beson Christian Kahler, strateg i bursës në BZ Bank.

Kësisoj Banka Qendrore europiane ndodhet përballë dilemës: Ajo është në fakt e detyruar për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Pra a do të vendosë ajo në mbledhjen e së enjtes për normalizimin politiko-monetar?

Kjo nënkupton që të luftohet inflacioni, por nga ana tjetër do të dobësohej edhe më tej ekonomia duke çuar në recesion. Gjendja sipas ekspertëve është ekstremisht kërcënuese. Tregjet europiane të aksioneve që nga fillimi i vitit kanë humbur 20 përqind. Për aq kohë sa nuk mund të ketë shenja stabiliteti, kurset do të jenë në rënie. /DW