Transmetuar më 17-03-2022, 11:11

Për pesë minuta do të hyja në studio “live” për lajmet e orës 11:00, kur papritur më zë syri lajmin se Elsa Lila është arrestuar në Itali, në mesin e 13 të tjerëve për drogë!

Shtanga! U trondita! Nuk desha te besoja! Por… ishin shumë burime! Mes tyre edhe e mirënjohura "La Republica"!

E kam takuar dhe intervistuar Elsën në Romë. Kisha shkuar në vitin 2004 për të ndjekur firmosjen e Kushtetutës Europiane nga 26 krerë shtetesh. Më kishte dërguar BBC në shqip.

Me një gur thashë të vras dy zogj! Të intervistoj edhe shqiptarë të suksesshëm atje. Mora Roland Sejkon, autorin e fillmit me famë "Anija" dhe Elsa Lilën.

Elsa më la pa fjalë në intervistë. Ishte 22 vjeçe atëherë dhe vazhdonte studimet universitetare. E thellë në mendime, elokuente, me dashuri plot për Shqipërinë, krejt e qartë për rrugën drejt të ardhmes europiane të saj.

Kujtoj se e pyeta në fund të intervistës se çfarë do të bënte me Shqipërinë sikur t’i jepej posti i Kryeministrit dhe u përgjigj gjithë personalitet. Pastaj darkuam në një lokal, ku nikoqirin e bëri Roland Sejko.

Veç tij dhe Elsës ishte dhe djali im, Arbër, që erdhi nga Milano, kur bënte masterin për Histori Arti. E kam fiksuar në mendje gjithë bisedën e asaj mbrëmje. Erëmonte art!

Sot, figura e bukur e këngëtares Elsa Lila është zhytur në mjegull. Policia italiane e ka arrestuar.

Unë dëshiroj që në gjyq mjegulla të davaritet dhe Elsa Lila të dalë e pastër.

Nëse drejtësia italiane e dënon…,prapë më vjen keq për shuarjen e dritës të një ylli shqiptar…