Transmetuar më 20-03-2022, 20:40

Kriza e karburanteve ka bërë që çdo vend të ‘mbledhë rripin’ dhe të shohë burimet e veta.

Qeveria greke ka deklaruar se do të përshpejtojë kërkimet në rajonin perëndimor dhe në detin Jon, me qëllim arritjen e mosvarësisë nga gazi rus.

Ndalimi i gazit rus ka krijuar një mjedis të ri për investime në fushën e hidrokarbureve, pasi kompanitë dhe qeveritë vlerësojnë se boshllëku që rezulton nuk mund të zëvendësohet në afat të gjatë vetëm nga gazi i lëngshëm (LNG) që sjellin cisternat amerikane apo dhe disa shtete të tjera.

Plani i Athinës konsiston në kërkime dhe shpime eksploruese për rreth 2.5 vjet me vlerë gati 150 mln dollarë në zonat e përcaktuara, ku depozitat e mundshme të gazit vlerësohen në një shumë prej 250 miliardë euro që mund të mbulojë kapacitetet e vendit për me shumë se 10 vjet, deri në kalimin e fazës së teknologjive energjetike të gjelbra.

Ky zhvillim vjen ndërkohë që gazjellësi TAP dyfishon kapacitetin e tij vitin që vjen, ndërsa bëhet me dije se prej 10 miliardë metrave kub që çon në Evropë, 8.5 furnizojnë vetëm Italinë, duke kontribuar ndjeshëm në sigurinë energjetike.

Muaj më parë SHBA shprehën dyshime për efektivitetin e gazsjellësit East Med që po planifikohej nga Qipro dhe Izraeli , por duket se ky plan po rivjen në tryezën e projekteve gjigante që do të ndihmojnë Evropën të mos jetë e varur nga gazi rus.