Transmetuar më 23-03-2022, 10:48

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga dy variantet e Omicron (BA.1 dhe BA.2), pasi po vazhdojnë të përhapen me pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve dhe me raste fatale.

Në këtë situatë, IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik.

Prandaj nëse i keni simptomat e shënuara më poshtë, ju duhet të testoheni.

“Të gjithë personat me dhimbje koke, kollitje, dhimbje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.

SKHPK vijon apelin e tij drejtuar qytetarëve: Virusi është kudo andaj mos neglizhoni rekomandimet themelore: maska, distanca, higjiena. Shmangni udhtimet e panevojshme, qëndroni në shtëpi dhe ajrosni ambientet e mbyllura.

Omicron është tejet ngjitës, andaj mbani maskat në çdo vend, mbani distancën mbi dy metra edhe në mjedise të hapura edhe po qe se të gjithë bartin maska!, apelon IKSHPK.

Në mënyrë që të jeni sa më të mbrojtur, IKSHPK u kërkon qytetarëve të vaksinohen me dozën pērforcuese dhe dozën e tretë që mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar dje se në 24 orët e fundit janë dhënë 384 doza të vaksinës kundër COVID-19.

“Nga 940 testime,41 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19 dhe gjatë 24 orëve të fundit, janë shënuar 3 raste të vdekjes”, është thënë në njoftimin e MSH-së.

Në total numri i rasteve aktive është 642.