Transmetuar më 24-03-2022, 22:06

Pezullimi i kryetares së gjykatës së Mitrovicës, së serbes Liljana Stevanoviç është shoqëruar me zemërim nga ana e Serbisë. Për këtë pezullim kanë reaguar presidenti Aleksandar Vuçiç dhe ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin.

“Me urdhër të Abin Kurtit, Biljana Stefanoviç është hequr nga institucionet e Kosovës si gjykatëse serbe. Përjashtimi i të gjithë komandantëve dhe zyrtarëve serbë të policisë që morën pjesë në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, është përgatitur për mëngjes (e premte)”, reagoi presidenti Vuçiç.

Ai theksoi me këtë veprim Kurti ka vendosur ta sulmojë Serbinë. “Kurti ka shkelur marrëveshjet e Brukselit dhe sipas tij dhe të tjerëve që e mbrojnë atë, marrëveshjet e Brukselit më nuk ekzistojnë. Kurti është ai që dëshiron ta prishë paqen në Kosovë. Me vendime të tilla, ai dëshiron që t’i sulmojë qytetarët serbë aty ku ata jetojnë”, tha Vuçiç

Pezullimi i Stevanoviç vjen pas pjesëmarrjes së saj në takimin e Këshillit Kombëtar të Sigurisë të Serbisë, bashkë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Ndërsa më kërcënues ishte ministri i Mbrojtjes, i njohur si një antishqiptar në qeverinë serbe. Aleksandar Vulin ka folur për mundësinë e një lufte mes Kosovës dhe Serbisë. Ministri famëkeq serb, i njohur për deklarata të shpeshta të egra e nacionaliste, ka thënë se shkarkimi i gjyqtares serbe në Mitrovicë, është hapi i parë drejt luftës mes dy shteteve.

“Ky është hapi i parë drejt hyrjes së Serbisë në konflikt të armatosur në Kosovës dhe padyshim që kjo po përgatitet nga shqiptarët. Nëse BE, si sponsor i Marrëveshjes së Brukselit, nuk thërret takim në Bruksel për ta ndaluar dhunën kundër serbëve në Kosovë, atëherë themi se sulmi i Kurtit ka ardhur nga koka e tij e helmuar me urrejtje”, ka thënë Vulin, kanë transmetuar mediat serbe.