Transmetuar më 31-03-2022, 22:39

Një kërkesë e bërë më 24 mars nga Selman Hodaj, kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar (DPAP), për të bërë disa të shtuna të prillit e majit mësim, është pranuar dhe miratuar sot nga ministria e Arsimit, pa verifikuar më parë se çfarë ka ndodhur këto kohë. Vendimi është firmosur nga Alqi Kushi, sekretar i Përgjithshëm i MAS.

Kërkesa erdhi për të zëvendësuar 21 marsin që u bë pushim, si dhe 3 ditë në janar që shkollat u mbyllën nga frika se do të kishte acar të madh.

Por që nga janari dhe në vazhdim, siç raportojnë nxënës dhe prindër pranë redaksisë së noa.al, shumë shkolla kanë bërë zëvendësim të ditëve të humbura, duke shtuar orë mësimi për disa ditë.

Kështu, ditët që klasat kanë pasur 4 apo 5 orë mësim, bënin një orë më shumë dhe në këtë mënyrë po zëvendësoheshin orët e ditëve pushim. Madje nxënësit kanë bërë dhe orë të shtatë mësimi që të zëvendësojnë orët e ditëve që nuk ka pasur mësim.

Ky fakt, është e vështirë të mos dihet nga DPAP dhe megjithatë nuk është marrë parasysh. Kjo ka bërë që nxënësit dhe mësuesit, por edhe prindërit të konfuzohen nga çorganizimi i organizuar në hallkat shtetërore.

Një tjetër fakt që përforcon mungesën e koordinimit dhe verifikimit të situatës në terren, është se që më 14 shkurt 2022, DPAP i kishte kërkuar Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që të zëvendësoheshin 3 ditët e bëra pushim nga aludimi për acar të madh në janar. Kjo kërkesë nuk ishte miratuar atëherë nga kjo ministri, por u pranua kur kërkesa u bë për herë të dytë më 24 mars.

Publikimi nga DPAP në Facebook, sot në mbrëmje, bëri që të ketë reagime.

"Po a u bene tre të shtuna ne mars qe u zevendesuan? Po tani ça jane këto zevendesime prapë?", pyet një

Kurse një tjetër shtron pyetjen: "Po ne qe i beme ore te shtatë dhe i plotesuam, prapë duhet te dalim? Sepse nuk u tha qe do të kete te shtuna".

Çfarë u vendos

Të shtunën 2 prill 2022 do të jetë ditë mësimi në të gjitha shkollat e arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm.

Po ashtu do të jetë mësim edhe të shtunën 30 prill, të shtunën 14 maj dhe të shtunën 28 maj.

Ky vendim pritet të zbatohet edhe në shkollat private. /noa.al