Transmetuar më 04-04-2022, 14:55

LIBRAZHD– Ura e ‘Gurit’ e cila ndodhet mbi lumin e Gostimës në fshatin Polis, të Librazhdit është shembur. Për shkak të mirëmbajtjes, ky atraksion turistik me vlerë të madhe historike, e restauruar nga turqit rreth vitit 1750 shek 18-të, u shemb pas vërshimit të ujërave në lumin e Gostimës. Kjo urë shërbente si lidhje mes disa fshatra të njësisë administrative Polisit, si Polis Sheh, Polis Qendër, Fushë Buall dhe Shushicë.

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në një postim në Facebook, thotë se shembja e urës ishte paralajmëruar, për shkak të indiferencës së institucioneve ndaj trashëgimisë.

‘Nga dje, urën e Gostimës nuk e kemi më! Indiferenca titanike e qeverisë ndaj trashëgimisë dhe politika e devijuar e MK, ndaj mirëmbajtjes rutinë të monumenteve, pjell vazhdimisht këtë fatalitet. Edhe kjo, kronike e nje ngjarjeje te paralajmeruar. “Çdo vit, nje ure”.’- shkruan Forumi i Trashëgimisë Kulturore në Facebook.