Transmetuar më 11-04-2022, 12:32

Për herë të parë në 47 ditë luftë, zyrtarë në Bashkimin Evropian po vënë në dyshim se sulme të përgjakshme të ndodhura në Ukrainë, janë organizuar nga vetë qeveria e atjeshme.

Këtë dyshim e ka hedhur drejtpërdrejt, lideri i një prej vendeve të BE dhe u konfirmua sot nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një intervistë me gjermanen Bild që citon noa.al.

Zelensky tha se një lider evropian i kishte kërkuar atij informacion për ngjarjet në Bucha, duke i deklaruar se donte të shmangte propagandën e Kievit.

Kjo është hera e parë që Europa shpreh hapur dyshimet e saj për presidentin ukrainas.

Zelensky përshkroi në Bild se si një politikan i lartë i BE-së i kërkoi atij prova se masakra e Buchës nuk ishte organizuar nga vetë ukrainasit.

Kur u pyet nëse zyrtari ishte kreu i shtetit të një vendi të BE-së, Zelensky u përgjigj pozitivisht, por nuk pranoi të nxirrte emrin e tij.

Ukraina pretendon se trupat ruse kanë kryer mizori kundër civilëve në qytetin Bukha, në veriperëndim të Kievit, sulm që ndodhi pak përpara se rusët të tërhiqeshin javën e kaluar.

Rusia i ka mohuar akuzat, duke thënë se ka prova të shumta për komplotin ukrainas të organizuar sipas saj nga Presidenti dhe shërbimet e inteligjencës që ai ka nën kontroll.

Është e paqartë nëse dyshimi është hedhur nga kancelari gjerman. Duke komentuar mbështetjen e Berlinit për Kievin, presidenti ukrainas shprehu keqardhjen për mungesën e dukshme të entuziazmit të Gjermanisë për sanksione më të ashpra kundër Rusisë.

"Disa vende, përfshirë Gjermaninë, janë kundër embargos së naftës dhe gazit", – tha Zelensky.

Ekipet negociuese Rusi-Ukrainë janë angazhuar në bisedime për javë të tëra, ballë për ballë dhe online, por deri tani asgjë nuk është arritur. /noa.al