Transmetuar më 11-04-2022, 22:35

KOSOVË– Zbulohen për herë të parë fakte tronditëse në lidhje me ish-kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi. Ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ka thënë se shërbimet e intelegjencës së Kosovës e kanë parandaluar një atentat ndaj ish-kryeministrit, Hashim Thaçi, më 2014. Në një prononcim për Pressing në T7, Smakaj tha se ngjarja ishte planifikuar të ndodhte në ndeshjen e parë të kombëtares së Kosovës.

Sipas Smakajt, ishte punësuar një snajperist me përvojë nga Bosnja e Kroacia për ta kryer vrasjen, por ishte ndaluar në kohë. Planifikuesit sipas Smakajt, ishin shërbimet inteligjente të Serbisë.

“Institucionet e sigurisë kanë qenë shumë të përgatitura për këto lojëra në territorin e Kosovës. Ju kujtohet në vitin 2009 ndalimi i agjentëve të BIA-s. Më 2014 kur është bërë ndeshja e parë e Kosovës kemi parandaluar një sulm që ishte nisur nga shërbimi sekret serb ndaj titullarëve tonë që të prishej ajo atmosferë festive. Me metoda të tilla. Metodologji e njëjtë që të kryhej atentat ndaj titullarëve tonë në ndeshjen e kombëtares së Kosovës. Ishte punësuar një snajper nga forcat elitare serbe dhe i cili pastaj, në bashkëpunim me shërbimet partnere, nuk e kishte mohuar shërbimi serb që ishte planifikuar diçka e tillë. Me partnerët tonë kishim dërguar mesazh në Serbi që të ndalohej kjo dhe të arrestohej ai. Ai ishte arrestuar. Ishte snajper me përvojë në Bosnjë, Kroaci,”- përfundoi Smakaj.