Transmetuar më 15-04-2022, 10:03

KOSOVË – Mbi 30 të shtëna me armë zjarri janë regjistruar në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Të shtënat kanë tronditur banorët e fshatit Bube të Komunës së Zubin Potokut që ndodhet pranë pikës kufitare.

Rasti është denoncuar në stacionin policor në Zubin Potok. Zyrtarët policorë kufitarë kanë deklaruar se kur kanë qenë në fshatin Paragovë, edhe ata kanë dëgjuar disa të shtëna nga një armë zjarri.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se nuk raportohet për të plagosur apo viktima. Ai shtoi se nuk di as të thotë nëse kemi të bëjmë me ndonjë ngjarje kriminale apo bëhet fjalë për ndonjë provokim në kufi për të ndezur konfliktet mes dy vendeve.