Transmetuar më 16-04-2022, 11:50

Në dhjetor 2021 me sa duket Borati dhe boratët që udhëtonin me të paskan marrë një mësim të mirë nga Lufthansa dhe policia gjermane. Fiks një vit para këtij incidenti, policia e Boratit dilte rrugëve të Tiranës dhe gjobiste me 3 mijë lekë çdo qytetar që nuk mbante maskë në rrugë. Maskë artizanale, ose siç e kam quajtur, maskë prej lecke.

Në atë kohë, kërkimet rreth përhapjes së koronavirusit kishin provuar se as maska prej lecke dhe as mbajtja e maskës në rrugë nuk kishin ndonjë efekt në parandalimin e transmetimit të virusit. Personalisht, e kam quajtur masën e gjobës, thjesht një mjet rrjepjeje për të zhvatur nga qytetarët gjoba absurde.

Në kulmin e zbatimit të "masës" mund të hyje në supermarket me një maskë që e mbaje në mjekër dhe quheshe "në rregull" me ligjin e Boratit dhe të ndëshkoheshe kur bëje i vetmuar shëtitje nga liqeni, por pa maskë.

***

Lufthansa dhe Gjermania janë tjetër gjë. Këtu nuk komandojnë boratët me tekat e tyre, por shkencëtarët e RKI, Helmholz dhe Charité. Pas disa muajsh pandemi, ata grumbulluan dhe publikuan evidenca dhe, që nga dhjetori 2020, të vetmet maska që u rekomanduan për përdorim në mjedise të mbyllura ishin ato FFP2 dhe kirurgjikale.

Gjermanët u bindën. Kjo edhe sepse maskat FFP2 dhe kirurgjikale nisën të shiten me çmime të subvencionuara apo edhe të falen. Sidomos punëdhënësit dhe njësi të ndryshme tregëtimi i ofruan dhe vazhdojnë t’i ofrojnë këto maska falas. Kompanitë ajrore sigurisht ia ofronin këto maska falas çdo pasagjeri.

I përballuar me një kërkesë që për secilin nga miliona udhëtarët e Lufthansa-s ishte e qartë, e kuptueshme dhe e thjeshtë për t’u zbatuar, Borati me sa duket ka ngritur krye me arrogancën e vet të zakonshme.

Duke menduar se ka përpara nëpunësit e vet bashibozukë që tremben edhe nga hija e një kryeplaku dhe që zbatojnë përçartjet e komitetit të vet qesharak, Borati u mundua t’i frikësonte ata me staturën e një "burri shteti". Përfundimi dihet. Borati u zbua me policë nga avioni dhe priti avionin e radhës, ku iu desh të hipte duke zbatuar politikën dhe rregullat e Lufthansa-s.

***

Borat! Ndonëse ke 30 e kusur vite në politikë dhe e quan Gjermaninë partner strategjik, akoma nuk ke marrë vesh ndryshimin midis një shteti real dhe fals. Shteti që ti dhe boratët e tu keni krijuar në Shqipëri është shtet "me gjasme".

Është shtet që ka gjasme spitale, që gjasme e lufton pandeminë, që gjen dhe aplikon gjasme vaksina dhe e bazon politikën e vet tek gjasme shkencëtarë. Shtet fals Borat! Fals si ti dhe si gjithë enturazhi yt!

Uroj vetëm që mësime si ky i Lufthansa-s të të mësojnë diçka dhe të të bindin se ti nuk e luftove pandeminë 10 herë më mirë se Gjermania! Se përndryshe Shqipëria nuk do të kishte 6.5 vdekje për 1.000 banorë, kurse Gjermania vetëm 1.5 të tilla.

Nëse nuk ke mësuar gjë nga ky incident, atëherë aq më keq për ty dhe shumë herë më keq për ata që akoma të votojnë ty! Mjerë të dytët…