Transmetuar më 20-04-2022, 21:40

Një grua që iku nga Mariupol rrëfen se ishte bllokuar në qytet për 45 ditë, duke pohuar se ajo që kaloi ishte "të jetoje një makth".

Tatyana Burak mbijetoi 45 ditë në qytetin e rrethuar ukrainas të Mariupolit përpara se të arratisej në Lviv me të shoqin.

Në një intervistë me CNN që ka zbardhur noa.al, Tatiana tregoi periudhën e vështirë që kaloi për një muaj e gjysmë rresht, në qytetin port tashmë thuajse krejtësisht i shkatërruar nga luftimet ruso-ukrainase.

“Ishte një makth i tmerrshëm të cilin e plrjetova unë me familjen time dhe njëherësh, mijëra njerëz të tjerë. Ishte një situatë që nuk kishte të mbaruar.

Në ditët e para të sulmeve ruse mbetëm të plagosur dhe përfunduam në spital.

Gruaja pohon se që kur nisi pushtimi rus, e dinte se Mariupol do të ishte epiqendër e sulmeve luftarake pasi ky qytet port është kryeqendër e Donbasit, krahina ukrainase që pretendohet nga Rusia.

Ajo thotë se nuk mund ta pranojë kurrsesi pretendimin e Moskës se rusët ishin aty për të çliruar qytetarët ukrainas.

"Ata erdhën e na thanë se ne po vuanim dhe se erdhën të na çlirojnë. Dhe vërtet, na çliruan. Domethënë na çliruan duke na larguar nga shtëpitë tona, nga punët tona, nga pasuria e gjithë jetës sonë, nga familja jonë, nga historia jonë. Në këtë mënyrë, po, ata çliruan mijëra njerëz", – tha ajo.