Transmetuar më 25-04-2022, 18:53

TIRANË– Java që presim përpara parashikohet që të na sjellë “shije” vere, pasi vendi ynë pritet të ndikohet nga kushtet të qëndrueshme atmosferike me plot orë me diell si dhe temperatura në rritje. Sipas Shërbimit Meterologjik Ushtarak, duke nisur nga sot, deri të enjtën, moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit. Megjithatë nuk do të mungojnë vranësirat e pakta kalimtare, të cilat do të jenë më të theksuara në relievet malore në lindje shoqëruar me shi të dobët dhe lokal.

Pas ditëve me diell, një paqëndrueshmëri e lehtë pritet për ditën e Premte. Moti parashikohet kryesisht i kthjellët por prej orëve të mesditës edhe alternime vranësirash të cilat hera-herës do të jenë deri të dendura. Këto vranësira në zonën e jugut dhe pjesërisht qendër do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët. Ndërsa përreth zonave malore, reshjet do të jenë në formën e rrebesheve dhe stuhive afatshkurtër shoqëruar me shkarkesa elektrike.