Transmetuar më 27-04-2022, 18:24

Presidenti Emmanuel Macron ka fituar një mandat të ri në krye të Presidencës franceze. Si një vend kyç, Franca është një forcë e rëndësishme për nxitjen e integrimit evropian dhe për zbatimin e strategjisë autonome.

Në sfondin kur në Evropë ka luftë, fitorja e Macron-it ka tërhequr vëmendje të madhe. Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha: "Në këtë periudhë të trazuar, ne kemi nevojë për një Evropë solide dhe një Francë plotësisht të përkushtuar ndaj një Bashkimi Evropian më sovran dhe më strategjik."

Pavarësia është një traditë e diplomacisë franceze, theksohet në një analizë të Grupit Mediatik të Kinës (CMG) që citon noa.al. Në mandatin e parë, Macron-i u përpoq për forcimin e strategjisë autonome të Francës dhe të Evropës, për të pakësuar mbështetjen e tyre nga disa vende aleate.

Në programin e vet zgjedhor këtë herë, Macron-i u shpreh se do të vazhdojë politikën e mandatit të parë dhe do të krijojë një Francë më të pavarur. Me këtë ai fitoi mbështetje, por pas fitores përballet edhe me sfida.

Konflikti ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës është kriza më e rëndë me të cilën përballet Evropa që pas Luftës së Dytë Botërore dhe një zgjidhje e këtij konflikti nëpërmjet bisedimeve përputhet me interesat e Evropës.

Macron-i e ka theksuar shumë herë se nuk duhet lejuar që situata të përshkallëzohet. Por, me shtimin e sanksioneve ndaj Rusisë, efekti i bumerangut është bërë gjithnjë e më i dukshëm. Në mars në Eurozonë norma e inflacionit arriti rekord, ndërsa çmimet e ushqimeve e të energjisë vijojnë të rriten.

Në Greqi, kostoja e plehrave për fermerët pothuajse është dyfishuar. Në Francë, çmimet e gazit natyror janë rritur tre deri në pesë herë krahasuar me disa muaj më parë dhe disa fabrika kimike janë detyruar të mbyllen. Në Gjermani, njerëzit kanë dalë në rrugë për të protestuar ndaj rritjes së çmimeve të energjisë.

Këto tregojnë se Evropa është bërë viktima më e madhe e konfliktit ndërmjet Rusisë e Ukrainës. Rruga që do të ndjekë Macron është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Europës, por edhe ekuilibrat globalë.