Transmetuar më 28-04-2022, 17:51

Sana Marin: Jeta e një kryeministreje që nuk dëshiron të quhet modele. Socialdemokratja 36-vjeçare, Sana Marin, e cila mori pushtetin në dhjetor 2019, ka zgjedhur të jetë e qartë dhe e drejtpërdrejtë me të gjithë

Kryeministrja 36 vjeçare e Finlandës, Sana Marin ndodhet sot në fqinjin tonë Greqi ku foli për mundësinë e anëtarësimit të Finlandës në NATO. Ajo  ka sqaruar se nuk do të japë asnjë lloj afati se kur do të vendosë nëse do të aplikojë përfundimisht për anëtarësim në NATO.

36-vjeçarja socialdemokrate – e cila mori frenat e pushtetit në dhjetor 2019- ka zgjedhur të jetë e qartë me të gjithë ndërsa thotë se nuk e konsideron veten model për të tjerët.

E ndërkohë, homologët e saj dhe qytetarët e Finlandës, shpesh e fajësojnë atë për vendimet e saj.

Po kush është kryeministrja më e re në botë, e cila është rritur me dy nëna dhe është bërë kopertinë në Times?

Sana Marin tregon se fëmijëria ka ndikuar shumë në prioritetet e saj politike. Ajo u rrit me nënën dhe partnerin e saj dhe thotë se kjo familje i tregoi asaj rëndësinë e barazisë, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.

Në një intervistë në vitin 2015, Marin thoshte se si fëmijë ndihej e padukshme pasi nuk mund të fliste hapur për strukturën e familjes së saj.

“Ishte diçka për të cilën nuk mund të flisje. “Kjo u bë e mundur vetëm pas vitit 2000”, tha ai për "Me Naiset".

Por kjo familje e ndihmoi atë të formonte imazhin e saj për botën. “Për mua njerëzit kanë qenë gjithmonë të barabartë. Nuk është çështje mendimi. Ky është themeli i gjithçkaje.”

Sana Marin ka lindur në Helsinki në vitin 1985 dhe ka jetuar në disa qytete në Finlandë përpara se familja e saj të transferohej në Tampere. Pavarësisht moshës së saj të re, kryeministrja dhe ministrja aktuale e Transportit e Finlandës ka marrë reputacionin e një politikaneje të ashpër, duke folur drejtpërdrejt që kur ishte ende e re, raporton noa.al duke cituar BBC.

Sana Marin i ngjiti shpejt shkallët e pushtetit. Ajo hyri në politikë në moshën 27-vjeçare, si kryetare e këshillit të qytetit të Tampere. Ajo u zgjodh deputete për herë të parë në moshën 30-vjeçare.

Vjen nga një familje e varfër

"Unë vij nga një familje e varfër dhe nuk do të kisha pasur sukses pa një shtet të fortë social dhe sistemin arsimor finlandez," tha ajo për "Helsingin Sanomat".

Vlen të theksohet se Sana Marin ishte anëtarja e parë e familjes së saj që shkoi në Universitet. Ka studiuar administrim biznesi në Universitetin e Tampere.

Dasma në periudhën e Covid

Ajo tani ka krijuar familjen e saj të bukur. Kryeministrja finlandeze u martua me të dashurin e saj Marco Raikkonen në gusht 2020. Dasma u zhvillua në një rreth të ngushtë  të ftuarish.

Marin dhe Marcus Raikkonen kanë tashmë një vajzë, Emma, ​​e cila është pothuajse 3 vjeç.

Dasma u zhvillua në rezidencën e kryeministrit, me praninë e disa miqve dhe të afërmve të ngushtë.

Në llogaritë e saj në rrjetet sociale, kryeministrja finlandeze kishte publikuar edhe një foto me bashkëshortin e saj duke shprehur mirënjohjen dhe gëzimin që ndan jetën e saj me njeriun që dashuron.

Promovon punën 6-orëshe, 4 ditë në javë

Por përveç jetës personale, ajo ka diskutuar edhe për nismat e saj progresive. Në vitin 2019, njoftoi se synon të përfshijë në vendin e saj punë gjashtë orëshe vetëm katër ditë në javë.

Sana Marin thotë se "tetë orë nuk është e vërteta supreme" dhe argumenton se "njerëzit mund të punojnë më pak". Në veçanti, plani i saj për të punuar në Finlandë parashikon mundësinë e punës katër – në vend të pesë – ditëve në javë, me një orar 6-orësh, në vend të 8 orëve aktuale ose gjithsej 24 orë punë në javë pa ndikim në të ardhurat mujore.

Kryeministrja e Finlandës thotë se synimi i saj është mirëqenia e qytetarëve dhe rithekson se “puna 6 orëshe është hapi tjetër i qeverisë”. /noa.al