Transmetuar më 01-05-2022, 08:00

KOSOVË– Rreth 5 miliardë euro shkon vVlera e depozitave të klientëve në dhjetë bankat komerciale të Kosovës. Ekzaktësisht shuma e depozitave ka arritur në mbi 4.9 miliardë euro. Nga kjo vlerë, më shumë se 3.3 miliardë euro janë depozita të qytetarëve, ndërsa pjesa tjetër u takon ndërmarrjeve.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, vlera e depozitave në vitin 2021 ka shënuar rritje për 12.4 për qind, në krahasim me vitin 2020.

Më saktësisht, sipas BQK-së, vlera e depozitave të reja, të arkëtuara vitin e kaluar, ka arritur në 446.1 milionë euro. Nga Shoqata e Bankave në Kosovë thonë se pjesa më e madhe e depozitave – mbi 76 për qind – është shfrytëzuar nga bankat për kreditim të ekonomisë.

Deri në fund të vitit 2021, vlera e përgjithshme e kredive të dhëna nga bankat ka arritur në 3.75 miliardë euro.

“Ruajtja e raportit ndërmjet kreditimit dhe depozitës është e rëndësishme, meqë tregon për shëndetin e sektorit bankar, i cili ka qenë vazhdimisht i kujdesshëm në pjesën e kreditimit, përmes ruajtjes së likuiditetit në nivele të pranueshme, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare”, thuhet në një deklaratë me shkrim të Shoqatës së Bankave të Kosovës, dhënë REL.

Paga mesatare bruto në Kosovë llogaritet të jetë rreth 460 euro. Paga mesatare bruto në sektorin publik është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 380 euro.