Transmetuar më 02-05-2022, 23:15

Kosovë- Disa aksidente ndodhën gjatë ditës së sotme në Kosovë dhe bilanci ishte tragjik.

Një nënë e dy fëmijëve dhe djali i saj shtatë vjeçar nga Skenderaj vdiqën në një aksident të ndodhur në fshatin Gllobar të komunës së Drenasit. Tre persona të tjerë janë lënduar në këtë aksident dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Po në Drenas sot ka ndodhur edhe një aksident tjetër ku janë përfshirë pesë makina dhe janë lënduar 10 persona.

Rasti ka ndodhur në fshatin Abri, më saktësisht në vendin e quajtur Garrapole.

Ndërkohë shtatë persona të tjerë janë lënduar në një aksident tjetër që ndodhi në magjistralen Prishtinë-Gjilan.

Sipas policisë në aksident janë përfshirë dy vetura.

Në mesditë tre persona kishin kërkuar ndihmë shëndetësore pasi u lënduan në aksident.

Rasti kishte ndodhur në rrugën Prishtinë – Mitrovicë, përkatësisht në fshatin Stanovicë. Noa.al