Transmetuar më 05-05-2022, 10:28

Kritiku i artit dhe parlamentari Vittorio Sgarbi, si dhe gazetari Giampiero Mughini ishin protagonistët e një sherri me ofendime në “Teatrin Parioli” të Romës, gjatë regjistrimit të episodit të rasdhës të “Maurizio Costanzo Show", që u transmetua mbrëmë vonë.

Në skenë mund të shihet Iva Zanicchi i ngrirë dhe gazetari Giuseppe Cruciani, i cili përpiqet t’i ndajë dy të ftuarit VIP. Një debat mbi Rusinë do të shkaktonte përplasjen. Sipas asaj që këngëtari Al Bano i tha “Corriere della Sera”, sherri nisi pas një pyetjeje nga Costanzo për Putinin, drejtuar atij:

“Ishte Mughini, ai që u ngrit dhe shkoi drejt Sgarbit. Sgarbi në atë moment u ngrit nga karrigia e tij, vijuan pak me fjalë dhe pastaj nuk munguan as goditjet. Nëse nuk e presin skenën (filmin), do ta shihni në TV. Ishte si një përleshje mes Muhammad Ali dhe Mike Tyson.

Unë fola me Iva Zanicchi, por të gjithë ndërhymë për ta shuar këtë sherr, i cili ishte edhe i rrezikshëm në disa aspekte, sepse Sgarbi u rrëzua me karrigen e tij, i shtyrë nga Mughini, dhe një pikturë ra 5 centimetra larg Sgarbit. Ishte e pabesueshme dhe e papritur”.

Sipas Al Bano, një nga shkaktarët e përleshjes ishte deklarata e Mughini për të: "Këngëtarët nuk duhet të flasin për politikë". Sgarbi dha një version edhe më të ndryshëm: "Unë thashë që nuk mund t’i pengojmë artistët rusë apo sportistët rusë të performojnë në Itali, ai tha në vend të kësaj se duhen ndaluar, siç po ndodh në sport.

Unë reagova dhe ai u përpoq të më rrihte. Gjithçka filloi nga ai pozicion. E ritheksoj se arti nuk duhet të ketë kufij, as gjeografikë dhe as politikë”. Ka pasur edhe një precedent tjetër të tillë mes tyre. Në vitin 2019, të dy u shanë dhe u grindën ashpër për politikën dhe drejtësinë në Itali.