Transmetuar më 07-05-2022, 12:52

Ambasadori kinez në SHBA: Dy vendet luajnë rol kryesor në mëkëmbjen ekonomike globale

Ambasadori i Kinës në SHBA, Qin Gang u shpreh se, si dy ekonomitë më të mëdha në botë, Kina dhe ShBA-ja duhet të bashkëpunojnë dhe të luajnë rol kryesor në nxitjen e mëkëmbjes së shpejtë të ekonomisë botërore.

Gjatë një interviste së fundi për revistën amerikane “Forbes”, Qin Gang tha: "Përhapja e COVID-it në botë dhe kriza e Ukrainës në Evropë kanë shkaktuar vështirësi të mëdha për ekonominë botërore. Më shumë vende po vuajnë nga mungesa e energjisë dhe e ushqimit. Zinxhiri global i furnizimit është dëmtuar rëndë."

Diplomati kinez i kërkoi ShBA-së të ndalojë politizimin e marrëdhënieve ekonomiko-tregtare kino-amerikane dhe të anulojë tarifat shtesë për mallrat kineze.

Me gjithë ndikimin e epidemisë, vjet vëllimi i tregtisë kino-amerikane shënoi rekord historik, duke arritur në 750 miliardë dollarë, 28.7 % më shumë se në vitin 2020.

Sipas të dhënave nga Këshilli i Biznesit ShBA-Kinë, vitin e kaluar importet e Kinës nga ShBA-ja u rritën 21%.

Investimet e huaja të drejtpërdrejta amerikane në Kinë ishin afro 100 miliardë dollarë, ndërsa investimet e drejtpërdrejta jofinanciare të Kinës në ShBA i tejkaluan 70 miliardë dollarët.

Sipas ambasadorit Qin, më shumë se 70 mijë kompani amerikane po investojnë tani në Kinë dhe 97 % prej tyre kanë arritur fitime.