Transmetuar më 09-05-2022, 07:29

Një ndërtim sekret ku asnjë media nuk depërton, po ndërtohet në Austri për njerëzit e pasur, si plan special në rast se bota kërcënohet nga një "blackout" apo katastrofë tjetër. Këtë po e realizojnë investitorë austriakë nga Kitzbüheler Alps. Por sponsorë të fuqishëm si Porsche janë tërhequr 

📸 Përveç një hoteli dhe një zone spa me sipërfaqe 3000 metra katrorë, kompleksi do të përfshijë edhe 13 vila dhe 37 apartamente. Foto: /Eibner Europa

VIENË, 9 MAJ 2022, NOA – Një ndërtim i nëndheshëm enkas për të pasurit në rast se bota mund të përfundojë. Grupi i objekteve që po ndërtohen po etiketohet si "Arka e Noes" dhe është projektuar nga zhvillues të pasurive të paluajtshme të Kitzbüheler Alps.

Kompleksi përfshin një hotel dhe spa në tre mijë metra katrorë, e po ashtu 13 vila dhe 37 apartamente. Ai po ndërtohet pranë Kitzbühel, Austri.

Investitorët kanë arritur të marrin hapësirë në Parkun Kombëtar Hohe Tauern.

Por përse po ndërtohet ky kompleks? Në faqen zyrtare të subjektit projektues dhe zbatues thuhet se ndërtimi po bëhet për të përballuar një virus vdekjeprurës, ndotje me përmasa serioze, goditje me armë bërthamore, luftë, blackout, etj.

Dhe shitjet janë kryer. Blerësit janë nga Gjermania, Zvicra, Austria e të tjera vende, raporton noa.al duke cituar të përditshmen gjermane Spiegel. Një banesë kushton 15 milionë euro.

Subjekti që ka marrë përsipër kompleksin thotë se ai është deri diku një Arka e Noes dhe shërben si mjet shpëtimi për ata që kanë mundësi financiare që të ruhen në raste katastrofash në mjediset nën dhe mbi tokë të objekteve speciale.

Kompania Porsche u tërhoq si sponsor në këtë investim për arsye që nuk i bëri publike. /noa.al