Transmetuar më 09-05-2022, 23:00

Shfaqja e kërpudhave (mykut) vdekjeprurës Candida Auris ka shkaktuar alarm në vendin fqinjë Greqi dhe janë regjistruar orët e fundit katër persona të vdekur, raporton noa.al.

Kryetarja e Shoqatës së Mjekëve të Patrës, dr. Anna Mastorakou, tha për mediat në Athinë se infeksioni i ri paraqitet si sëmundje vdekjeprurëse dhe deri tani janë shënuar katër të vdekur. Viktimat kanë kryesisht mosha të thyera.

Mjekja tha se ajo dhe kolegët e saj janë të shqetësuar për këtë infeksion të ri që duket se gjen terren infektimi më të madh në mjedise spitalore.

Ekspertja mjekësore tha se infeksioni është ngjitës dhe për ata që kanë sëmundje serioze apo kronike – nëse infektohen – mund të përballen me fatalitet pasi Candida Auris ka rezistencë të madhe ndaj trajtimit. Më në rrezik janë njerëzit me sistem imunitar të dobësuar.

Sipas Anna Mastorakou, e vetmja mënyrë për të parandaluar përhapjen e tij është respektimi i të gjitha masave higjienike. Për sa u përket spitaleve duhet bërë dezinfektim i shpeshtë.

Kryetarja e shoqatës së mjekëve këshillon qytetarët të jenë të qetë dhe të mos ngjallin panik, pasi bëhet fjalë për një infeksion të rrallë, por megjithatë shtoi se nëse ky infeksion përhapet shpejt, bëhet jashtëzakonisht i rrezikshëm. /noa.al

Çfarë është Candida auris

Candida auris është një specie e kërpudhave (mykut), një nga speciet e pakta të gjinisë Candida që shkaktojnë kandidiazë tek njerëzit. Shpesh, kandidiaza haset në spitale nga pacientë me sistem imunitar të dobësuar.