Transmetuar më 10-05-2022, 07:00

Parku Kombëtar i Butrintit, është bërë pjesë e një debati të ashpër midis pozitës dhe opozitës. Deputetja e PD, Ina Zhupa, në parlament, akuzoi Ministrinë e Kulturës, lidhur me koncesionin e Parkut Kombëtar të Butrintit, siç e vlerësoi ajo.

Zhupa tha se lidhur me këtë projekt nuk është marrë mendimi as nga ndonjë arkeolog, dhe se nuk është marrë aprovimi as nga UNESCO.

“Kam pasur mundësinë të takoja dhe të bisedoja me arkeologët më të mirë në vend për çështjen e koncesionit të Butrintit. Koncesioni që diskutohet këto dy javë në parlament, është një nga skandalet që pritet të kalojë në Kuvend kjo qeveri.

Nëse e keni parë ndonjëherë nga afër këtë plan, nga i njëjti fondacion, shihet qartë që s’ka të bëjë me interesin publik dhe trashëgimin kulturor, por vetëm me fitimin ekonomik nga kjo pasuri kombëtare.

Asnjë arkeolog me kompetencë nuk është pyetur. Ky plan është bërë me një fondacion privat për të krijuar një fondacion tjetër privat për të menaxhuar Butrintin. Ministria e Kulturës është pjesë e bordit, që do të ketë dhe votën. 2,1 milionë dollarë ndodhen për momentin, të mjaftueshme për të bërë menaxhimin, por ju thoni që duhen 7 milionë. S’na ka ardhur asnjë paragraf nga UNESCO, ndërkohë që në dokumentet kryesore duhet të ishte mendimi i UNESCOS për çdo investim që do të bëhet aty.”, u shpreh ajo.

Lidhur me këto akuza ka reaguar edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se ky nuk është një koncesion, por një formë administrimi i një pasurie kulturore.

"Janë përfshirë ekspertët shqiptarë. Ky është fakt! Janë mbi 80 ekspertë shqiptarë. Ministria i drejtohet institucionit të Arkeologjisë. Kemi marrë mendim për planin në 13 qershor 2019. Në korrik instituti ka depozituar të gjitha sugjerimet. Janë zhvilluar 3 dëgjesa publike dhe ka pasur prezencë të arkeologëve.

Në prill 2020 është diskutuar në trashëgiminë kulturore, ku edhe aty kemi profesor të nderuar që i kishim në komisionin e ekonomisë. Ky plan është miratuar me VKM në 22 korrik 2020.

Boll më me fjalën koncesion. Kjo është një formë administrimi dhe menaxhimi indirekte. Nuk është gjetje e qeverisë, por është një mënyrë për të menaxhuar një pasuri kulturore. Nuk është një histori shqiptare, por histori e vjetër. Kur ta gjeni në Butrintin tuaj, do të jeni edhe ju krenarë", u shpreh ajo.

Deputetja demokrate Ina Zhupa këmbënguli se Ministrja e Kulturës Elva Margariti do të marrë 10 mijë dollarë në vit si anëtare e bordit të fondacionit që siç tha Zhupa, ka marrë me koncesion Parkun e Butrintit. Zhupa thotë se Margariti do të paguhet dy herë nga ky koncesion, 1 herë si ministre dhe 1 herë me honorare 10 mijë dollarë në vit si anëtare e bordit të fondacionit privat.

Më herët, ish-kongresmeni Joseph J. DioGuardi, i ka dërguar një letër UNESCO-s në lidhje me menazhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit. Letra e DioGuardi është dërguar në datën 8 prill të vitit 2022 dhe mban titllin “Statusi potencialisht i rrezikuar i Sitit të Trashëgimisë Botërore të Butrintit në Shqipëri”.

Në letrën dërguar UNESCO-s, ish-kongresmeni ka shkruar se qeveria shqiptare e ndikuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ka ndryshuar ligjin në Kuvend për trashëgiminë kulturore, duke lejuar që një fondacion privat të menaxhdojë Parkun e Butrintit. Ai ka kërkuar që të niset një hetim nga UNESCO të këtyre shkeljeve, pasi sipas tij rrezitokojnë statusin e Butrintit si Trashëgimi Botërore.