Transmetuar më 12-05-2022, 23:00

TIRANË- Lajmi i refuzimit të parlamentit shqiptar për të dënuar masakrën e Srebrenicës ka bërë jehonë në agjensitë dhe mediat më prestigjoze të Ballkanit.

Ndër mediat që e kanë raportuar këtë lajm janë Vijesi, Tanjung, Aljazeera, REL, N1Info, Alo, Insajder, Anadolu Agency, B92 dhe disa media të tjera.

“Parlamenti shqiptar hodhi poshtë një kërkesë të një deputeti të opozitës për të mbështetur një rezolutë që pranonte se krimet e kryera në Srebrenicë në korrik 1995 ishin gjenocid. Propozimi i deputetit të Partisë Demokratike Tritan Shehu u rrëzua me votat e deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët përbëjnë shumicën në Kuvendin e Shqipërisë. Shehu u tha ligjvënësve se refuzimi i parlamentit shqiptar për të dënuar gjenocidin e Srebrenicës dhe për të detyruar Serbinë të pranonte krimet e saj ishte “një akt i shëmtuar, një shfaqje e paprecedentë, një demonstrim turpi”,”- shkruan Vijesti.

“Mazhoranca qeverisëse në Kuvendin e Shqipërisë sot hodhi poshtë Rezolutën për njohjen e gjenocidit në Srebrenicë, e iniciuar nga ish-kryeministri Sali Berisha. Kundër rezolutës votuan 51 deputetë dhe pro ishin 15 vota,”- shkruan Tanjung.

“Parlamenti shqiptar hodhi poshtë të enjten një kërkesë të disa ligjvënësve të opozitës për të mbajtur një seancë për të diskutuar një rezolutë që njeh dhe dënon gjenocidin e Srebrenicës. Propozimi për futjen në rend dite të pikës së miratimit të rezolutës, i dërguar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, u rrëzua me votat e përfaqësuesve nga radhët e Partisë Socialiste në pushtet. Pak ditë më parë, anëtarët e Partisë Demokratike, partia më e madhe opozitare në Shqipëri, i dërguan një propozim komisionit parlamentar për të shqyrtuar një rezolutë që njeh dhe dënon gjenocidin e Srebrenicës. Refuzimi i kërkesës për shqyrtimin e rezolutës shkaktoi reagime dhe kundërshtime nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë,”-shkruan AlJazeera.