Transmetuar më 15-05-2022, 07:05

Presidenti Zelensky është zotuar të mbajë Eurovizionin në Mariupol vitin e ardhshëm, pasi një mbështetje shumë e madhe erdhi nga publiku evropian, gjë që e çoi Ukrainën në fitore.

Volodymyr Zelensky shpejtoi për të përshëndetur fitoren – dhe madje u zotua të zhvillojë konkursin e vitit të ardhshëm në Mariupol, pavarësisht se qyteti edhe aktualisht është i rrethuar nga forcat ruse.

Ai tha: “Guximi ynë i bën përshtypje botës, muzika jonë pushton Evropën. Vitin e ardhshëm Ukraina do të presë Eurovizionin, për herë të tretë në historinë e saj dhe, besoj, jo e fundit. Ne do të bëjmë çmos që të presim pjesëmarrësit dhe të ftuarit e Eurovizionit në Mariupol të Ukrainës, në Mariupolin e lirë, paqësor, të rindërtuar.

“Falënderoj Orkestrën Kalush për këtë fitore dhe të gjithë ata që na dhanë votat. Jam i sigurt se tingulli i fitores në betejën me armikun nuk është i largët. Lavdi Ukrainës.’

Rezultatet e Eurovizionit janë një mesazh sfidues për Vladimir Putin. Ndërsa deri vjet, juritë e shteteve bënin kryesisht votim gjeografik, duke mbështetur me maksimumin e pikëve vendet aleate, sivjet pati votim publik politik.

Fituesit e grupit folk-rap Kalush Orchestra bënë një interpretim emocional të këngës së tyre Stefania, e cila është bërë një himn lufte për Ukrainën gjatë pushtimit.

Duke marrë trofeun e lakmuar, grupi tha: ‘Faleminderit për mbështetjen e Ukrainës. Kjo fitore është për çdo ukrainas. Slava Ukraina.’

Pavarësisht se humbi një fitore mahnitëse, britaniku Sam Ryder ende arriti rezultatin më të mirë të Mbretërisë së Bashkuar për 20 vjet, pasi përfundoi i dyti.