Transmetuar më 15-05-2022, 20:53

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të heqin nga lista e zezë e terrorizmit të huaj, pesë grupe ekstremiste, të njohura në vite për seri masakrave me mijëra të vdekur. Individët e lidhur me këto grupe nuk konsiderohen më non grata dhe u hiqet ndalimi i udhëtimit në SHBA.

Vendimi është marrë nga administrata e presidentit Joe Biden, raporton noa.al duke cituar Associated Press.

Kopjet e njoftimeve, të cilat të gjitha u nënshkruan nga Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken të mërkurën, u morën nga Associated Press.

Grupet terroriste kishin vrarë mijëra njerë, në të gjithë Azinë, Evropën dhe Evropën dhe Lindjen e Mesme.

Megjithëse grupet janë joaktive, vendimi është politikisht i ndjeshëm për administratën e Bidenit dhe vendet në të cilat operonin organizatat dhe mund të provokojë kritika nga viktimat dhe familjet e tyre që ende përballen me humbjet e të dashurve.

Organizatat përfshijnë grupin separatist bask ETA, kultin japonez Aum Shinrikyo, grupin radikal hebre Kahane Kach dhe dy grupe islamike që kanë qenë aktive në Izrael, territoret palestineze dhe Egjipt.

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi Kongresin të premten për lëvizjet, të cilat vijnë në të njëjtën kohë me një debat gjithnjë e më përçarës, nëse Garda Revolucionare paraushtarake e Iranit duhet ose mund të hiqet ligjërisht nga lista e SHBA-së, si pjesë e përpjekjeve për shpëtimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin.

Departamenti i Shtetit tha se emërtimet e terrorizmit për pesë grupet do të hiqen zyrtarisht kur përcaktimet të publikohen në Regjistrin Federal, i cili pritet këtë javë që vjen.

Arsyeja e përgjithshme e largimeve është identike në secilin prej rasteve: Blinken thotë se ato bazohen në një rishikim administrativ të emërtimeve, i cili me ligj kërkohet çdo pesë vjet.

Rishikimet marrin parasysh nëse grupet e përcaktuara janë ende aktive, nëse ata kanë kryer akte terroriste brenda pesë viteve të mëparshme dhe nëse heqja nga lista ose mbajtja e saj do të ishte në interes të sigurisë kombëtare të SHBA. Sipas ligjit, Sekretari i Shtetit mund të heqë grupet që ai mendon se nuk i plotësojnë më kriteret.

Heqja e grupeve nga lista ka efektin e menjëhershëm të shfuqizimit të një sërë sanksionesh që shoqëronin listën e zezë. Ato përfshinin ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit, pra anulimi i statusit non grata, si dhe ndalim për çdo amerikan që u ofron grupeve ose anëtarëve të tyre ndonjë mbështetje materiale, përfshirë deri dhe kujdes mjekësor.

Të gjitha, përveç njërit prej pesë grupeve, u përcaktuan për herë të parë organizata të huaja terroriste në 1997 dhe kanë mbetur në listë për 25 vitet e fundit.

Grupet që hiqen janë:

—Aum Shinrikyo (AUM), kulti japonez i "Supreme Truth" që kreu sulmin vdekjeprurës me gaz sarin në metronë e Tokios në vitin 1995 që vrau 13 njerëz dhe sëmuri qindra të tjerë. Grupi është konsideruar kryesisht i zhdukur pas vrasjes së personave të niveleve të tij më të larta, duke përfshirë liderin Shoko Asahara, në 2018. Grupi u emërtua organizatë e huaj terroriste në 1997.

—Atdheu dhe Liria Baske, ose ETA, e cila drejtoi një fushatë separatiste bombash dhe atentatesh në Spanjën veriore dhe gjetkë për dekada, duke vrarë më shumë se 800 njerëz dhe plagosur mijëra të tjerë, deri në shpalljen e armëpushimit në 2010 dhe shpërbërjen pas arrestimeve dhe gjyqeve ndaj liderëve të saj të fundit në 2018. Ajo u caktua një organizatë e huaj terroriste në 1997.

-Kahane Chai, ose Kach. Grupi radikal ortodoks hebre u themelua nga rabini ultranacionalist izraelit Meir Kahane në vitin 1971. Ai drejtoi grupin deri në vrasjen e tij në vitin 1990. Anëtarët e grupit kanë vrarë, sulmuar ose kërcënuar arabët, palestinezët dhe zyrtarët e qeverisë izraelite, por organizata ka qenë e fjetur që nga viti 2005. Grupi u caktua për herë të parë në 1997.

—Këshilli Muxhahidin Shura në rrethinat e Jerusalemit, një grup ombrellë i disa organizatave xhihadiste me bazë në Gaza që ka marrë përgjegjësinë për sulme të shumta me raketa ndaj Izraelit që nga themelimi i tij në 2012. Grupi u emërtua për herë të parë në 2014.

—Gama’a al-Islamiyya, ose Grupi Islamik—IG, një lëvizje islamike sunite egjiptiane që luftoi për të rrëzuar qeverinë e Egjiptit gjatë viteve 1990. Ai kreu qindra sulme vdekjeprurëse kundër policisë dhe forcave të sigurisë, si dhe turistëve. Grupi u shpall terrorist për herë të parë në 1997. /noa.al