Transmetuar më 18-05-2022, 14:27

Luçiano Boçi, njëri nga personat e mandatuar nga Këshilli Kombëtar i PD për të negociuar me mazhorancën qeverisëse për zgjedhjen e presidentit të ri, ka reaguar pas dakordësisë mes Taulant Ballës dhe Enkelejd Alibeajt që në tri raundet e para të votohet për kandidatë të propozuar vetëm nga opozita.

Më pas, sikurse e parashikon edhe Kushtetuta, presidenti konsiderohet i vlefshëm edhe me shumicë të thjeshtë, pra 71 deputetë, të cilët Partia Socialiste i posedon.

Situata në kampin opozitar është mjaft e nderë, teksa njëri i bie thumbi e tjetri patkoit…. E thënë ndryshe, Boçi dhe Rithemelimi nuk e njohin Alibeajn si përfaqësues të PD, ndërkohë që ai, me tagrin e “vulës” vazhdon në të tijën.

Marrëveshjen mes dy palëve në mbledhjen e sotme, Boçi e ka konsideruar antikushtetuese: “Negociatat për presidentin janë politike. Nuk bëhet fjalë për një reformë zgjedhore. Ndoshta Alibeaj mund të fshihet pas pozicionit të kryetarit të komanduar, por këtë pozicion nuk ia pranon as Rama.

Shkon dhe ulet në prehrin e Ballës. Meqenëse Rama i ka qejf krahasimet me futbollin. është njësoj sikur Reali i Madridit t’i dërgonin si kundërshtar në finale e Champions League jo Liverpool-in, por Turbinën e Cërrikut, sepse nuk pranon të luajë kundër Salah, se është non grata”.